PS kërkon zyrtarisht shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. 55 deputetë kërkojnë fillimin e procedurave të shkarkimit nga detyra të Metës, për shkelje të rëndë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në konferencën urgjente për mediat, nga Kryesia e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se me dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve Presidenti i ka dhënë vetes atribute të paligjshme që nuk i takojnë. Sipas tij, presidenti ka detyrë të caktojë datën e zgjedhjeve, jo ta anulojë.
Ndërsa ka listuar edhe shkeljet e kreut të shtetit, me dekretin që anulon zgjedhjet e 30 qershorit, Balla tha se me këtë akt presidenti po sillet si autoritet mbi kushtetutën e mbi sovranin.
“Presidenti i ka marrë tagrat e sovranit. Presidenti me dekret ka zgjatur mandatin e pushtetit vendor. Mandati i të qeverisurve vendorë është 4-vjeçar. Presidenti ka përcaktuar një datë tej datës së përcaktuar me ligj. Presidenti ka vendosur një datë tej atyre të njohura nga ligji. Caktimi i datës lidhet me mbarimin e mandatit të të zgjedhurve aktualë. Ka marrë atribute të Kuvendit e sovranit. Autoriteti i vetëm është vetëm trupa legjislative. Dhe në këtë rast presidenti ka marrë atribute të paligjshëm. Është një rast i pandodhur ndonjëherë. Presidenti referon situatën e 2007-ës. Theksojmë se kjo situatë është e kundërta e këtij procesi. Vlerësojmë se presidenti po sillet si autoritet mbi kushtetutën e mbi sovranin”, tha Balla. Sipas tij, Presidenti ka anuluar datën e zgjedhjeve, Kushtetuta nuk ia njeh këtë drejtë. “Ka për detyrë të caktojë datën e nuk ka alternativë për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Presidenti ka cenuar rëndë parimin e periodicitetit të zgjedhjeve. Nëse do të zbatohet dekreti i presidentit, automatikisht kemi të bëjmë me cenim të këtij parimi”, tha Balla.
Deputetët që kanë firmosur
Taulant Balla, Sadi Vorpsi, Roland Xhelilaj, Arben Pëllumbi, Ilir Ndraxhi, Xhevit Bushaj, Ardit Konomi, Musa Ulqini, Ilir Pendavinji, Antoneta Dhima, Milva Ikonomi, Rahman Rraja, Vilma Bello, Adnor Shameti, Arben Ahmetaj, Eduard Shalsi, Ervin Bushati, Alket Hyseni, Senida Mesi, Evis Kushi, Luan Harusha, Lindita Nikolla, Adelina Rista, Fadil Nasufi, Spartak Braho, Ardiana Jaku, Ismet Beqiraj, Vullnet Sinaj, Elona Gjebrea, Edmond Leka, Andrea Marto, Elisa Spiropali, Tatjana Piro, Besnik Baraj, Bashkim Fino, Eljo Hysko, Sadri Abazi, Dritan Bici, Edlira Bode, Klodiana Spahiu, Ilir Beqja, Bujar Çela, Almira Xhembulla, Erion Braçe, Eglantina Gjermeni, Mimi Kodheli, Florenc Spaho, Anduel Xhindi, Blendi Klosi, Bledi Çuçi, Niko Peleshi, Damian Gjiknuri, Xhemal Qefalia dhe Ditmir Bushati.


Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




