Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në Prokurori sot në orën 9:30. Në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranës, kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur në Prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikëri ligjin.
Në njoftimin e prokurorisë së datës 12 qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve që kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.
“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”, shprehet në letrën e tij kryetari i PD, Lulzim Basha.
Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga Prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.
PD sulmon prokuroren Imeraj: Kamikaze e Ramës
Pas mesdite PD deklaroi se drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës me urdhra politikë po ushtron presion ndaj prokurorëve për arrestimin e kryedemokratit Basha, pasi ai nuk shkoi pranë organit të akuzës në mëengjes.
“Me urdhër direkt të Edi Ramës, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj në dhunim flagrant të ligjit po ushtron presion të paligjshëm ndaj prokurorëve të cështjes për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e kryetarit të opozitës, ndonëse kryetari i opozitës ka konfirmuar vullnetin për t’u paraqitur në prokurori sapo kjo e fundit të zbatojë ligjin për thirrjen e tij”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Më tej, selia blu thotë se një presion i tillë po bëhet me qëllim largimin e vëmendjes nga përgjimet e reja që do të publikojë gazeta gjermane BILD sot.
“Ky presion kriminal përmes urdhrave të paligjshëm të prokurores së kapur Elisabeta Imeraj po ushtrohet me urdhër direkt të Edi Ramës me qëllim për të larguar vëmendjen nga përgjimet e reja që ka paralajmëruar se do të publikojë sot gazeta gjermane BILD”, thuhet më tej në njoftim.
Në fund, Partia Demokratike paralajmëron prokuroren se ky skenar do të dështojë.
“Partia Demokratike paralajmëron prokuroren Imeraj dhe shefin e saj Edi Rama se ky skenar kriminal do të dështojë dhe ata do të jenë përgjegjës direkt për këtë veprim kriminal të paprecedentë të shkeljes së ligjit dhe provokimit ndaj opozitës.
Kamikazja Imeraj nuk do ta shpëtojë dot Edi Ramën. Asgjë nuk e shpëton dot Edi Ramën. As drejtësia e kapur prej tij”, përfundon njoftimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.