Lajme

Aksident tragjik në Tiranë, 3 viktima të së njëjtës familje, 2 të plagosur rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në aksin Elbasan-Tiranë. Policia e Tiranës njoftoi fillimisht se ishte katër numri i të vdekurve, por në një njoftim të dytë bën me dije se numri i viktimave është tre, pasi njëra nga vajzat e çiftit Bibaj është në gjendje kritike për jetën.
“U njoftua nga spitali se ndërroi jetë, por ka kaluar në vdekje klinike dhe tashmë ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak”, sqaron policia në njoftimin e dytë.
Aksidenti ka ndodhur në afërsi të qendrës tregtare TEG, ku mjeti me drejtues shtetasin Arlind Aliaj, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me bordurën e rrugës.
Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë 3 pasagjerët që janë anëtarë të së njëjtës familje. Viktimat janë kryefamiljari Bardhok Bibaj 62 vjeç, bashkëshortja e tij, Valentina Bibaj, 54 vjeç dhe vajza Florida Bibaj 22 vjeç nga Mirdita.
Ndërsa në gjendje kritike për jetën është vajza tjetër e çiftit, Xhuliana Bibaj, 26 vjeç.
Miku i familjes Arlind Aliaj, i cili drejtonte mjetin tip BMW me targa AA472 PE, ka mbetur i plagosur. Ai ndodhet në Spitalin Ushtarak nën kujdesin mjekësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë