Lajme

Konfirmohen në detyrë dy kandidatët për SPAK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin e Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, Vladimir Mara dhe drejtuesen e Prokurorisë së Elbasanit, Enkelejda Millonai. Mara dhe Millonai janë të dy kandidatë për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Për prokurorin Mara, trupi gjykues pasi ka shqyrtuar të gjitha dokumentacionet dhe ka marrë parasysh të gjitha kërkesat, në fund ka vendosur konfirmimin në detyrë të prokurorit.
Vladimir Mara është prokurori i dosjes së bujshme 339.
Drejtuesja e Prokurorisë së Elbasanit, Enkelejda Millonai, në seancën dëgjimore të 13 qershorit nuk pati probleme në kriteret e pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.
Millonai u hetua nga një trupë gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me anëtare Brunilda Bekteshi dhe relator Roland Ilia.

Prokurorja Enkelejda Millonai

Prokurorja u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me pyetjet rreth pushimit të një çështjeje me akuza për falsifikim ndaj gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu.
Millonai e pyetur nga trupa që hetoi çështjen, shpjegoi se kishte kryer hetime të plota duke dhënë detaje të procedurës së ndjekur dhe po ashtu shpjegoi arsyet pse çështja nuk i kishte kaluar për kompetencë një prokurorie tjetër, që sipas relatorit Roland Ilia dukej si “shkelje e Kodit të Procedurës Penale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë