Kryeministri Edi Rama i kërkoi Taulant Ballës që t’ia falë disa minuta kohë për të derdhur të gjithë bateritë e tij 50 minutëshe kundër aktit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke e cilësuar më të paimagjinueshmen e mundshme. Për kryeministrin Edi Rama, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë thjesht kukulla, pasi ata komandohen nga dy persona Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët nuk duan që të hapen negociatat me BE-në dhe të realizohet reforma në drejtësi. Ky sipas Ramës është edhe meraku i kësaj katërshe, ndërsa theksoi se sot Kuvendi duhej të kishte diskutuar një rezolutë dhe miratuar një dokument konsensual për t’iu drejtuar vendeve të BE-së për çeljen e negociatave dhe jo për antidekretin e Metës, duke e cilësuar si një akt të patolerueshëm dhe të papërgjegjshëm. Ndërsa theksoi se Ilir Meta ishte një ndër personat që ka përfituar të gjitha postet në një moshë kaq të re, duke i kujtuar edhe skandalet e falura.
“E pyes veten se çfarë kërkon më shumë Ilir Meta nga Shqipëria. Kujt i ka bërë Shqipëria më shumë ndere sesa këtij njeriu, të cilin pa mbushur ende 50 vjeç e ka bërë si askënd tjetër në histori, edhe kryeministër, edhe kryetar Kuvendi, edhe President të Republikës. Kujt më shumë se Ilir Metës i janë falur përçarjet, hiletë, skandalet dhe i është dhënë kaq e kaq herë mundësia të rilindë i penduar, i burrëruar, i kthjelluar. Kujt përpara Ilir Metës i takon të pyes vetes se çfarë më shumë mund të bëjë që t’i lajë Shqipërisë sado pak detin me borxhe që i kam. Që t’u lajë sado shqiptarëve pa dallim lumin me borxheve që iu kam , që t’jua lajë sadopak pak socialistëve dhe zgjedhësve borxhet e të gjitha moteve dhe rasteve kur më kanë mbështetur në të gjitha përpjekjet e mia, më kanë toleruar për zararet dhe mirëkuptuar për rrëshqitjet”, theksoi Rama.
Duke i cilësuar si pyetje retorike, kryeministri u shpreh se Shqipëria ka qenë zemërgjerë me Ilir Metën, i cili sipas tij nuk ngopet kurrë. “Historia nuk e gjen një të dytë politikan me të cilin Shqipëria të ketë qenë kaq zemër gjerë. Iliri është mësuar si s'ka më keq ta tundojë Zotin e tij, ta përqeshë fatin e tij, ta shkelmojë të mirën e tij duke u bërë me vend e pa vend protagonist ku Metës asnjëherë nuk i mjafton roli që ka, vendi ku ndodhet, maja ku ngjitet. Jo President, por Mbret të gjithë shqiptarëve po ta shpallin shqiptarët, jo vetëm ata të Shqipërisë, por tërë trojeve dhe viseve shqiptare, prapëseprapë Ilir Meta nuk do të ndihej mirë, nuk do qëndronte drejt, nuk do të ndalej së tunduari fatin e vet”, tha Rama.
Më pas kryeministri ka renditur arsyet e tij se pse Meta u bashkua me Berishën duke krijuar këtë situatë. “Për cilën arsye në botë duhej të bashkohej me zjarrvënësin dhe telashin e saj historik, Sali Berishën, në përpjekjen e dëshpëruar të këtij të fundit për të ridjegur dhe bërë lëmsh Shqipërinë? Për cilën arsye Presidenti do të merrte përsipër shkeljen më skandaloze përmes fshirjes së firmës së tij me vetë firmën e tij? Për cilën arsye në botë Presidenti duhej të bëhet një trillues qesharak shkaqesh të paqena për të justifikuar një budallallëk që do të shënohet si rast unikal në historinë e republikave parlamentare të planetit tonë? Ka vetëm një arsye që i shpjegon të gjitha me dy fjalë: Ilir Meta. Të kërkosh jashtë këtyre fjalëve shkaqet e kësaj marrëzie antikushtetuese është e kotë. Pse u përdor, keqpërdor apo u vetëpërdor Presidenti duke kapërcyer mbi Kushtetutën dhe duke fluturuar përtej imagjinatës si një plumb qorr për të vrarë zgjedhjet në mes të fushatës së zgjedhjeve dhe pse ne nuk e ka shfrytëzuar mundësinë që na dha kjo marrëzi për të ndaluar fushatën dhe pritur si gomari kur të mbijë bari ditën kur do ti mbushej mendja Saliut për të pasur një datë të re zgjedhjesh”, theksoi Rama. Një akti të tillë nuk e ka ndërmarr as Bujar Nishani kur ka qenë president, njeriu më politik që ka pasur historia e atij institucioni.
“Paraardhësi i Ilir Metës, na e kërkoi me shkrim dhe me firmë për të shtyrë zgjedhjet brenda një jave, brenda afatit kushtetues. Më pas u krye vetëm pasi i shkoi letra e bashkëfirmosur nga ne të. E vërteta duhet thënë siç është. Nishani asnjëherë nuk e vuri firmë dhe Kushtetutën në funksion të asaj partie, u desh vetë Ilir Meta të bëhet dhe që ne kujtojmë për mirë Nishanin presidentin më mediokër dhe politik që ka pasur Shqipëria”, theksoi Rama. Ndërsa shprehu vendosmërinë se nuk do të tërhiqet nga 30 qershori, pavarësisht skenarëve që po ofron opozita.
“Dua të bëj të qartë se nuk ka asgjë që na tund nga 30 qershori. Jemi të detyruar ta pranojmë si të keqen më të vogël për demokracinë tonë të re zgjedhjen fatale të gabuar të kundërshtarëve tanë për të na lënë me një kandidat në pjesën më të madhe të bashkive të vogla. Nëse do të tërhiqeshim nga ky proces do të merrnim përgjegjësinë historike të së keqes më të madhe të mundshme duke i vënë minat shtetit. Duke shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit me këtë dhimbje koke që ka shkaktuar arratisja e opozitës kryesore nga parlamenti dhe zgjedhjet ne nuk garantojmë dot larminë pluraliste. Me shumë gjasa produkti i këtyre zgjedhjeve do të jetë një hartë elektorale thuajse 100% e purpurt në raste se nuk do të ketë ndonjë surprizë. Por jemi viktimë e zgjedhjes së lirë të kundërshtarëve tanë kryesorë për të braktisur garën dhe e keqja e këtyre zgjedhjeve të pamohueshme nuk buron nga dëshira jonë, por qëllimi i atyre që duan të vrasin zgjedhjet për ta kthyer humbjen e tyre të paralajmëruar në një fitore kundër Shqipërisë. Akti i Ilir Metës është prova më ulëritëse e lepurit që fle në barkun e frikës jo vetëm nga zgjedhjet, por në radhë të parë nga drejtësia. Jemi të dënuar të marrim përsipër këtë kosto, që të mos i kalojë Shqipërisë. Zgjedhjet e 30 qershorit pa ata, janë e keqja më e vogël për Shqipërinë”, theksoi kryeministri.
Lideri i socialistëve mbylli fjalën edhe me debatet që janë hapur e ku ai po akuzohet se është shkaktari i caktimit të Metës si president i vendit.
“Unë e kam votuar Metën si President, gjithkush në këtë sallë ka bërë të njëjtën gjë, shumëkush më ka kritikuar në rrjetin tim social vazhdimisht më zhdëpin për zgjedhjen e tij, jo pak më kanë mallkuar dhe sa shfaqet Ilir Meta me ndonjë nga paudhësitë e veta më përvishen mua të gjithë. Po të ktheheshim mbrapsht do bëjë prapë të njëjtën gjë, për shumë arsye që nuk është rasti ti rendis, por është rasti tu kujtoj se Meta u zgjodh president me votat e tij, votat tona e pengonin, por nuk mjaftonin për të zgjedhur. A e kam imagjinuar unë, jo? Por se do ta kthente këtë zgjedhje për të udhëhequr një plan çoroditës të orkestruar bashkë me Saliun, jo këtë se kisha imagjinuar. Ka kaluar tej çdo imagjinate dhe nuk tolerohet, Ilir Meta e ka humbur të drejtën për detyrën. Vendi është parlamentar dhe Presidenti është garant i unitetit jo interpretuesi subjektiv i Kushtetutës”, theksoi Rama.
Më të njëjtën kohë ai shtoi se “shpreh keqardhje si njëri, mik, kundërshtar dhe aleat si dikush që nuk ka bërë vetëm të këqija, por ka dhënë kontribute pozitive, i uroj me gjithë zemër ta lexojë me kthjelltësi këtë, nëse ka probleme me dëgjimin dhe nuk do ti kuptojë qartë fjalët që do thuhen sot në adresë të tij”.
Fino kundër shkarkimit të Metës
Deputeti i PS-së, Bashkim Fino ka qenë një ndër zërat e pakët që ka dalë kundër shkarkimit të Metës si presidenti Republikës. Edhe pse ka kundërshtuar ashpër faktin e nxjerrjes së dekretit për anulimin e zgjedhjeve, Fino u shpreh se socialistët duhet ta lejnë deri në fund që të vazhdojnë skenarin e tij. Ish-kryeministri i PS-së në një kohën e vitit të trazirave të 1997, tha se gabimet e së shkuarës nuk duhen thelluar.
“Sot jemi mbledhur me një rend dite mocion debat për zallamahinë presidenciale. Shumë prej nesh do donte që presidenti do të shkarkohej sot. Dhe unë e kuptoj presionin e militantëve dhe bazës partiake për të shkuar drejt proceduarave të shkarkimit të presidentit Meta. Janë po ata militantë dhe ajo bazë që na panë me inat kur votuam presidentin. Por unë them që gabimet që kemi bërë dikur mos ti thellojmë duke shkarkuar presidentin dhe e di pse, ta lëmë të shkruajë deri në fund me aq sa mundet teorinë e tij dhe teatrin presidencial. Ne duhet të lëmë që skenën finale të atij teatri ta luajë nga zyra e presidentit”, theksoi Fino.
Për ish-Ministrin, Fatmir Xhafaj, zhdekretimi i datës së zgjedhjeve nga Meta është tërësisht në tejkalim të kompetencave të tij. “Presidenti dhe qeveria nuk kanë asnjë përgjegjësi që lidhet me administrimin e procesit zgjedhor. Me shpalljen e datës së zgjedhjeve humb çdo pikë lidhje ligjore dhe institucionale me zhvillimin, administrimin dhe ankimimin e procesit. Presidenti imponoj mekanizma juridik në një krizë politike, në një kohë që duhej të përdorte autoritetin e tij kushtetues për të ndërtuar ura dialogu dhe për të mundësuar kompromise politike gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit. Kur kemi vepruar kështu kemi pasur kompromise të shëndetshme edhe zgjidhje të mençura”, theksoi Xhafaj.
Teksa pranoi se kemi një situatë të rënduar në vend, Xhafaj tha çështja nuk është data e zgjedhjeve, por sjellja e lidershipit politik. “Debati politik dhe parlamentar nuk mund të ngushtohet në një dekret. Duhet ta pranojmë me qetësi se kemi një situatë të rënduar. Kemi një krizë të sajuar. Problemi i vërtetë nuk është aq data e zgjedhjeve në vetvete por mënyra e sjelljes së lidershipit politik. Opozita ka zbritur në rrugë dhe kërkon të imponohet me mjete të dhunshme. Ka shumë faktorë kjo krizë por më kryesori është kriza e lidershipit të saj politik. “Prej muajsh opozita jashtë parlamentare e frymëzuar dhe e dhunuar nga Sali Berisha dhe e veshur me autoritetin fals të Lulzim Bashës po sillet si një forcë antikushtetuese. Kjo sepse ka dal së funksionuari jashtë sistemit demokratik parlamentar dhe me presionin e rrugës po i shërben destabilitetit dhe cenimit të rendit kushtetues. Opozita ka një krizë të brendshme që kërkon imponoj si një krizë të shoqërisë shqiptare. Kriza e opozitës është kriza e lidershipit të saj politik”, përfundoi Xhafaj.
Për deputetin e PS-së, Damian Gjiknuri akti i presidentit është nul. “Akti i presidentit është padyshim politik. Ai akt shërbeu për thellimin e krizës, pasi bëri një gabim edhe më të rëndë, duke mos nxjerrë datë tjetër zgjedhjesh. Presidenti vetëm sa nxit krizën. Akti po nxit amulli të mëtejshme, duke e lënë krizën hapur. Kreu i shtetit më mirë të thotë se është aktor politik sesa të fshihesh pas lojërave të ligjeve”, theksoi ish-ministri.
Kundër dekretit ka qenë edhe deputeti i PS-së, Spartak Braho, i cili më parë ka qenë edhe njeri i afërt i presidentit Meta, pasi ka milituar në Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Nëse i hapet rrugë Ilir Metës si dikur Sali Berishës që vendi të mos marrë veten kurrë dhe të hyjmë në spiralen e një anarkike shtetërore nga e cila as lufta nuk na nxjerr dot, prandaj është më mirë të bëjmë një betejë ligjore sot me një president që kërkon ta çojë vendin në anarki sesa të pastrojmë nesër Shqipërinë nga gërmadhat e një lufte për pushtet që nuk do të pranojë kurrë nëse pranojmë këtë marrëzi të Ilir Metës”, theksoi Braho.
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati u shpreh se në fjalën e tij para Parlamentit deklaroi se Shqipëria po humb kohë me debatin për zgjedhjet, në një kohë që duhej të merrej me negociatat, duke humbur interesin kombëtar. “Po jetojmë në një periudhë eksperimentesh të rrezikshme. Eksperiment ishte djegia e mandateve nga ana e opozitës, eksperiment për mua është mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, eksperiment është largimi nga përgjegjësia për konstituimin e organeve të drejtësisë dhe të organeve kushtetuese, vajtimi për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, eksperiment po bëhet me parimet themelore të së drejtës, me sigurinë juridike, me pritshmëritë legjitime, me proporcionalitetin, me parashikueshmërinë por dhe pasojat e akteve ligjore”, theksoi Bushati. Sipas tij kjo situatë është e paprecedent, duke shtuar se PS nuk i ka braktisur asnjëherë zgjedhjet. “Ne jemi tek verbëria, siç e përshkruan Saramango situatën pas juntës dhe rivendosjes së demokracisë, dhe verbëria na fton në qorrsokak dhe sot për fat të keq ne diskutojmë për datën e zgjedhjeve në Shqipëri, për 30 qershorin. Ne sot nuk jemi në gjendje ti ofrojmë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, atë çka ata meritojnë. Në kushtet kur ne jemi përballë kësaj situate unë besoja ashtu siç besonte dhe beson filozofi gjerman Habermass tek logjika e njeriut dhe tek fuqia e rezistencës së demokracisë dhe kështu e lexoj dhe vullnetin tonë për të shkuar drejt 30 qershorit, për ti dhënë të paktën mundësi atyre zgjedhësve, atyre që duan të votojnë që ta thonë fjalën e tyre me votë të lirë”, theksoi Bushati.
Hajdari: Ju do t’i shtyni zgjedhjet, keni bërë marrëveshje
Deputetja e opozitës Rudina Hajdari gjatë diskutimit të saj në Parlament akuzoi mazhorancën socialiste se ishte ajo që e zgjodhi Metën si president, edhe pse e dinin mirë se bashkëshortja e tij është kryetarja e LSI-së. “Pika e dytë që dua të ngre: Më falni president nëse gruaja juaj është palë e opozitës dhe kjo palë ka ngritur këtë padi, është pjesë e këtij konflikti nuk është ky konflikt i pastër personal? Unë ngre pyetjen ju përgjigjuni, qytetarët duhet të përgjigjen për këtë, ai duhet të ulet me palët, Kryemadhi është bashkëkryetare e opozitës, duhet të ulet edhe më të, a nuk ishte ky pikërisht debati që u bë kur zoti Meta u zgjodh po nga ky Parlament, që e zgjodhi me vota, pse e zgjodhët? Për një fakt të vetëm se donit të zgjasnit jetëgjatësinë e tij politike, të fuqizonit pozitën e LSI. A nuk ishte presidenti atëherë në konflikt interesi kur zgjodhi gruan e tij kryetare të LSI, pse nuk bëtë mocion në atë kohë, e të thonit prit, se kjo nuk bëhet? Pra ju, maxhoranca u bë palë me LSI me opozitën, bëtë marrëveshje, që të zgjasnit pushtetin tuaj, se nuk ju intereson fare ca bëhet me Shqipërinë”, deklaroi Hajdari.
Sipas demokrates rezoluta e sotme është nul dhe që bëhet për presione. “Sot para nesh kemi një rezolutë që nuk ka ndonjë vlerë juridike, është rezolutë që për mendimin tonë ngre presion, shantazh ndaj presidentit, por dua ta filloj fjalën time duke arsyetuar pse mendojmë ne ky akt i presidenti është që ne vetëm mund ta konstatojmë si kuvend i Shqipërisë. Gjykimi mbi vendimin e Presidentit e merr vetëm Gjykata Kushtetuese dhe duhet të jemi shumë të qartë me qytetarët shqiptarë. Fakti që Presidenti nuk dha datë tjetër, unë nuk bëj dot vendime që të them që Presidenti ka bërë akt të rëndë apo të lehtë, ta vendosë kushtetuesja, por unë ngre pikëpyetje?”, theksoi Hajdari.
Hajdari në fjalën e saj theksoi se zgjedhjet do të shtyhen me një muaj. “Këtu do të jemi dhe kemi për ta parë, e gjitha kjo bëhet që ju të tre bashkë të uleni në një tavolinë dhe të vendosni jo për popullin, por për hir të interesave tuaja. Vetë e çuat në këtë derexhe. Ne nuk duam më krizë, s’duam destabilitet. E vetmja pyetje që i bëj vetes. A ia vlejti barra qiranë? Po pse bëhet kjo? Që këta të ulen të bëjnë një marrëveshje, me qëllim zgjatjen e pushtetit të tyre. Kaq është. Është koha që populli shqiptar ti mbyllë perden kësaj faqeje të errët që të mos vijë më kurrë. Faleminderit dhe shpresoj që shqiptarët më kanë dëgjuar”, mbylli fjalën e saj deputetja demokrate.
Ralf Gjoni: Ju e zgjodhët, Meta bishë politike, priten akte dhune
Deputeti i dalë nga lista e LSI-së, si pjesë e opozitës së re, Ralf Gjoni në fjalën e tij u shpreh se ka qenë i trishtuar në momentin kur u zgjodh Ilir Meta si President. “Dita kur Ilir Meta u vendos president me votat tuaja, me 88 deputetët, ishte ditë e zezë! Largimi i Metës nga LSI-ja ishte fund i kësaj partie. Nuk e kam besuar kurrë se zgjedhja e Metës është për të mirën e Shqiptarëve, por doni ta hiqnit nga politika dhe ta çonit në atë "azil pleqsh". Meta president mbi palët? Ilir Meta bishë politike, makineri politike, ku jeton ai pa politikë. Meta president mbi palët? Presidenti nuk vlen asgjë në këtë vend, jo Meta, por presidenti. Princ Leka më dinjitoz se presidenti. Ishte më i urtë Nishani. Ç'takstirat kanë shqiptarët që të merren me tekat tuaja?!", tha Gjoni.
Ai theksoi se i vjen për të qeshur kur mazhoranca shprehet se sot kërkon ta shkarkojë si president. “Hadje parlament hajde. Kjo që po bëni juve sot është show, cirk, është teatër. Më vjen të qesh kur shoh sesi që doni të shkarkoni Ilir Metën nga Presidenti i Republikës, kjo është fantastike. Juve doni të shkarkoni Ilir Metën nga posti i Presidentit. Juve që e votuar të gjithë, të gjithë në rresht, me WhatsApp e votuat. A e votuat Ulsi? Vetëm Adnor Shameti nuk e ka votuar më duket nga Skrapari. Të gjithë ju të tjerët këtu e votuat. Kush e votoi? Ju votuat, unë nuk e kam votuar. Ta gëzoni ta mbani”, theksoi ai. Ndërsa ka theksuar se më 30 qershor mund të ketë trazira dhe madje viktima. “Flitet që ditën e zgjedhjeve të ketë atentate. Janë ngritur celula me snajeperë për atentate kundë politikanëve. Duhet të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Në korridore përflitet për atentate ndaj politikanëve. Po përgatiten celula me snajpera për të vrarë. Më tha një gazetar ata kanë snajpera do t’ju vrasin të gjithëve. Duhet të mblidhet komisioni i Sigurisë Kombëtare. Se çfarë informacioni ka për destabilitet në 30 qershor”, theksoi Gjoni. Deputeti Myslym Murrizi e cilësoi rezolutën si një letër bakalli, si ato që të anëtarëve të Byrosë Politike, si në kohën e Mehmet Shehut, duke pritur që presidenti të marrë vendimin e radhës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.