Lajme

Kriza politike, zv/ambasadorja e SHBA i shkon Metës në zyrë

Në ambientet e Presidencës, kreu i shtetit Ilir Meta ka zhvilluar një takim me të dërguarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones.
Mësohet se fokusi i diskutimit ka qenë vendimi i presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve, për shkak të situatës së tensionuar politike.
Pjesë e diskutimit ishte edhe vendimi i maxhorancës për shkarkimin e Presidentit Meta me motivacionin e shkeljes së Kushtetutës.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i pyetur nga Zëri i Amerikës dy ditë më parë, lidhur me vendimin e presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, tha se Departamenti i Shtetit është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit. Departamenti i Shtetit, tha zëdhënësi, do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër.

Lidhur me gjendjen politike në Shqipëri, zëdhënësi tha se qëndrimi i Uashingtonit mbetet i njejtë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin konfrontimet dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për të ardhmen e Shqipërisë.

Partitë e opozitës, tha zëdhënësi, duhet të gjejnë një rrugë për të hapur dialogun me qeverinë rreth reformës elektorale.

Ndërkohë, socialistët vijojnë me fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa presidenti dje nisi konsultat me partitë politike për caktimin e një date të re zgjedhjesh.
KQZ nga ana e saj kërkon vazhdimin e përgatitjeve për zhvillimin e zgjedhjeve, edhe pse dekreti i presidentit Ilir Meta, që shfuqizon 30 qershorin është botuar në Fletoren Zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë