Politike

Tension dhe dhunë te Parlamenti, kapsolla, shashka, fishekzjarre, ujë dhe gazlotsjellës


Protesta e tetë e opozitës pavarësisht apelit të fortë të zv/ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për të mos pasur dhunë ka degjenuar në dhunë përpara Parlamentit.
Dy tablo të ndryshme ka dhuruar protesta e opozitës ku përpara Kryeministrisë ka qenë e qetë me disa incidente të vogla, por ka eskaluar përpara Parlamentit. Menjëherë sapo kanë shkuar drejt Parlamentit protestuesit kanë nisur të hedhin kapsolla, shashka, fishekzjarrë dhe flakadanë.


Protestuesit kanë hequr gardhin metalik të vendosur para derës kryesore nga policia në hyrje të Parlamentit. Ata hodhën fishekzjarrë dhe kapsolla të fuqishme në oborrin e parlamentit. Policia menjëherë ka hedhur ujë me presion e gaz lotsjellës duke i shpërndarë ata. Po kështu në momentin që u hodh gaz lotsjellës u fikën edhe dritat e ndriçimit në zonë. Menjëherë turma e protestuesve u shpërnda në dy drejtime të ndryshme, një nga pjesa e zonës së nëntëkatësheve dhe tjetra drejt zonës së rrugës së unazës. Pas disa minutash protestuesin kanë tentuar sërish t’i rikthehen sheshit përpara Parlamentit, ata që kishin mbetur, por duke hedhur sërish kapsolla dhe fishkezjarre në drejtim të policisë. Por policia ka lëshuar sërish gazi lotsjellës dhe ujë nga autobotët për të shpërndarë turmën, ndërsa Basha do të merrte drejtimin nga selia PD-së.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Presidentit Meta, i cili tashmë duke marrë rolin e një faktori politik, i bëri thirrje që të ndalonin protestën para Parlamentit.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta i bën thirrje udhëheqësve të opozitës të ndalojnë protestën para Parlamentit dhe qytetarët të shpërndahen paqësisht”, ishte apeli i lëshuar nga Presidenca.
Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi u rikthye për të tërhequr ato pak protestues që kishin mbetur dhe që hidhnin kapsolla dhe tymyese drejt Policisë. “Tërhiquni drejt selisë PD-së, ky është urdhëri”, iu drejtua Bardhi protestuesve, por një thirrje e tillë është kontestuar nga ana e disa protestuesve. “Nuk tërhiqemi jo! Do të vazhdojmë të protestojnë”, reaguan disa prej protestuesve.


Ndërkaq menjëherë Basha ka nisur të mbajë fjalimin në selinë e PD-së, duke i dhënë kështu mesazh protestuesve për t’u shpërndarë. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi një pjesë e protestuesve vijuaan që të qëndrojë përpara Parlamentit.
Në fjalën e tij para selisë, Basha e ka cilësuar si pjesë e provokimeve të Ramës dhe një skenar për të bërë që opozita është e dhunshme.
Kreu i PD-së iu kërkoi protestuesve mirëkuptim për të mbyllur protestën pas vendimit të Presidentit Ilir Meta. “Dua të kërkoj mirëkuptimin tuaj që kjo natë të mbesë me mesazhin e qartë dhe të prerë se shumica jemi ne, jeni ju, se ne nuk do të hedhim asnjë hap pas deri në realizimin e objektivit tonë. Ne duam vlera e standarde europiane, duam zgjedhje të standardeve europiane. Shqiptarët duan e meritojnë qeveri europiane. Planet ogurzeza të provokatorëve të dhunës që edhe sot duan të ndalin trajektoren e pandalshme të ngjarjeve që sapo kanë nisur dhe do të çojnë në rrëzimin e tiranisë së krimit, gazin që hodhën mbi qytetarët krejtësisht paqësore dhe pa shndërruar në një natë dhune, për të tërhequr vëmendjen nga një bandë kriminale, kjo përpjekje dështon me turp, siç dështon me turp përpjekja për zgjedhje moniste kriminale, pas anulimit nga Presidenti të 30 qershorit”, deklaroi Basha.
Më tej ai theksoi se “bisha e plagosur kriminale do të bëjë gjithçka për të ndalur grahmat e fundit të kufomës politike dhe kreu të bandës kriminale Edi Rama, por si asnjëherë më parë tik-taku po dëgjohet e do dëgjohet edhe më fort deri sa gongu i lirisë dhe demokracisë të shtrijë përdhe tiraninë e krimit”.
“T’u kthejë shqiptarëve gjënë më të shtrenjtë, votën e lirë pa të cilën nuk ka mirëqenie, nuk ka demokraci e zhvillim. Dua t’ju pyes, a jeni gati ta çojmë këtë betejë deri në fund, të bëjmë gjithçka për orën e lirisë së re. Zonja e zotërinj, gjithçka na ka bashkuar në këtë betejë është vlera. Njeriu nuk është asgjë në qoftë se nuk është vlera. Jeni fisnikët e vlerave familjare, shqiptare, europiane, jeni çlirimtarët e Shqipërisë nga krimi. Kjo armatë lirie e demokracie ka bërë këto 4 muaj të paimagjinueshme për Tiranën, por atë që sot ndjen çdo krijesë, kur njerëzit bëhen bashkë për kauzën e drejtë, nuk ka forcë që i ndal”, tha Basha.
Ndërsa i bëri një apel dhe socialistëve që të zgjidhin krizën e krijuar pa Edi Ramën si kryeministër. “Arrestoni krimin në kupolën tuaj, ndalni krimin në kupolën tuaj, merrni drejtimin e partisë, uluni në dialog pa Ramën kryeministër për një qeveri tranzitore e të vendosim së bashku standardin europian të zgjedhjeve. Nuk është vonë për ta shpëtuar PS-në nga krimi. Forcë që ta ndalë zemërimin popullor nuk ka dhe nuk do të ketë”, deklaroi Basha.
Pas himnit kombëtar, turma para selisë së PD-së u shpërnda, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi dhe nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili iu drejtuan sërish Parlamentit për të shpërndarë turmën që kishte mbetur atje.
Bardhi akuzoi policinë se po provokon protestuesit. “Është vetëm një njeri Edi Rama. Ta harrojë se mund t’i dhunojë shqiptarë, ta harrojë se mund t’i provokojë shqiptarët. E vetmja gjë që mund të bëjë është të largohet”, tha Bardhi.


Protesta para Kryeministrisë, Rama dhe Dako në burg
Protesta e opozitës e paralajmëruar në ora 19:00 u shoqërua me një zhvillim të papritur me veprim paralajmërues të presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve dhe kjo u cilësua si një fitore e opozitarëve. Protesta kësaj herë ishte ndryshe dhe se në duar mbanin pankarta në gjuhë të huaj, kryesisht në atë gjermane, ku falenderonin gazetarin gjerman të “Bild” për audiopërgjimet e publikuara në media. Ndërsa si risi e kësaj proteste ishte krijimi i një kafazi burgu, ku dy persona të veshur me rrobat e burgut mbanin mbi kokë maskat e Edi Ramës dhe të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Basha ndërkohë ka folur për vendimin e presidentit duke e përshendetur atë, por duke theksuar se beteja nuk ka përfunduar.

Protesues te maskuar me fotot e Rames dhe Dakos, ne kafazin e burgut


“Ky vend është mbajtur për një kohë të gjatë peng. Ne nuk do të tërhiqemi, deri sa fitorja e popullit të bashkuar të marrë fund. Rama ik. Anulimi i 30 qershorit është prova e parë e forcës sonë të bashkuar, por është vetëm një hap i vogël para. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë deri në fitore. Ne jemi të vendour. Rama ik! Fitorja e kësaj beteje është bekim për çdo shqiptar. Është koha si një popull i bashkuar në sytë e një bote që na vëzhgon është koha që të hedhim hapat tonë finalë drejt zgjidhjes së krizës politike. Rama ik. Ju ftoj dhe ju kërkoj që me të njëjtn kurajo dhe vendosmëri që kemi bërë në këtë rrugëtim ta vazhdojmë rrugën tonë pa u lodhur, të bekuar nga përgjegjësia për fëmijët tanë për brezat që vijnë me misionin për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”, deklaroi Basha.
Ndërsa në një moment drejt Kryeministrisë janë hedhur edhe tymuese e shashka, gjatë fjalës së Bashës. Kjo bëri që kryedemokratit të ripërsëriste apelin për të mos ushtruar dhunë dhe për të mos prekur policët.


“Në emrin tuaj dua të siguroj këdo, mik e aleat që na dëgjon sot për zotimin tonë të parë, ditën e parë të kësaj beteje me 16 shkurt, se ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se parimet, vlerat e normat e standardet e Evropës demokratike, se normat e standardet e SHBA-ve. Ne kërkojmë liri, demokraci, sundim të ligjit, ndarje dhe balancim të pushteteve. Por nuk do të pranojmë asgjë më pak. Me këtë vetëdije jemi mbledhur tash 4 muaj, në këtë manifestim kombëtar force e vizioni, në këtë fuqi shpirtërore të papërballueshme. Me këtë fuqi do të vazhdojmë betejën tonë, orë e minutë, natë e ditë, sepse ora e fitores po afron. Rruga e daljes nga kjo krizë e thellë politike nuk ka as pse të shpiket, as pse të klonohet. Nuk ka dhe nuk do të devijohet as nga propaganda e paguar me dhjetëra milionë të drogës dhe të Besos së Tajvanit. Kush ka veshë ta dëgjojë? Kush nuk di anglisht ta”, do të theksonte Basha.
Protesta e sotme u mbyll në ora 21:48, ku përplasja më e fortë ka qenë para Parlamentit. Tani me vendimin e Presidentit, opozita pritet të marrë ndonjë aksion tjetër, që më tepër është i kondicionuar nga qëndrimi i mazhorancës socialiste nëse do të pranojë nismën e presidentit Meta për anuluar zgjedhjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë