Presidenti Ilir Meta shfuqizon datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky është vendimi më i fundit i marrë nga kreu i shtetit i njoftuar nga Presidenca shqiptare. Pikërisht në momentin e nisjes së protestës së opozitës, Presidenti ka publikuar vendimin për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve.
Ai shprehet se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Sipas presidentit zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkohet drejt votimeve një partiake.
Në deklaratë, Meta thotë se nuk mund të shkohet drejt votimeve një partiake pasi në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
“Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020”, thuhet në deklaratën e Presidencës.
Kreu i Shtetit deklaron më tej se në komunikimin e parë ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentet shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.
Sa i përket protestës së sotme, Meta bën thirrje për distancim nga aktet e dhunës.
“U bëj thirrje udhëheqësve të opozitës që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune”, e mbyll mesazhin kreu i shtetit.
Rama i përgjigjet Metës: Zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor, janë të popullit
Menjëherë pasi presidenti Meta shfuqizoi datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, vjen kundërpërgjigjja nga kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë është i vendosur se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.
Nga qyteti i Beratit ai u shpreh se zgjedhjet janë të popullit, as të partive as të presidentit.
“Përsëri gabim, e ju them se zgjedhjet do bëhen në 30 qershor. Nuk jam i befasuar e prisja edhe këtë, nuk është asgjë veçse mbyllja e një rrethi të një plani të bërë me kohë, për një arsye të vetme, për arsyen se nuk kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, kërkohet marrja zvarrë e qeverisë e varrimi i refomës në drejtësi. Por as qeverinë se marrin zvarrë as reformën se varrosin dot dhe ne në 30 qershor do bëjmë zgjedhje, sepse zgjedhjet janë të popullit, as të partive as të presidentit”, u shpreh kryeministri Rama për vendimin e papritur të presidentit Meta që shfuqizoi dekretin duke anuluar 30 qershorin.
Kryemadhi: Kam dy javë që nuk flas me Metën
Lidhur me vendimin e presidencës, Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, thotë se nuk ka komunikuar me Ilir Metën prej dy javësh dhe shton se nuk ka ndikim në vendimin që kreu i shtetit mori papritur këtë të shtunë, duke shfuqizuar dekretin për zgjedhjet e duke anuluar 30 qershorin. Në një prononcim për gazetarët në nisje të protestës së tetë kombëtare të opozitës joparlamentare kundër qeverisë, Kryemadhi tha se ka qenë në Itali ku i është nënshtruar një operacioni dhe se prej dy javësh nuk ka pasur asnjë komunikim me Metën.
Kryemadhi u shpreh se ndryshimi i datës nuk ka rëndësi, pasi i vetmi prioritet është largimi i kryeministrit Edi Rama.
“Nuk kam ndikuar fare në vendimin e tij, qëkur kam ikur për t’u operuar kam dy javë pa e takuar. Nuk kemi biseduar fare. Protestat do të vijojnë nuk ka dialog me Ramën kryeministër”, tha ndër të tjera Kryemadhi.
Basha: Anulimi i 30 qershorit, rezultat i qendresës së popullit
Kryedemokrati Basha anulimin e datës së zgjedhjeve e lidh me qëndresën e popullit. Basha më tej thotë se beteja e tyre do të vazhdojë deri në fitore, pra deri në largimin e kryeministrit Rama.
“Në këto momente që po flas, ashtu siç e keni dëgjuar, falë vendosmërisë tuaj të pathyeshme falë bashkimit më të paparë të mendjeve e zemrave të shqiptarëve të lirë, Presidenti i Republikës ka marrë vendimin për anulimin e 30 qershorit, datës së planifikuar nga regjimi kriminalo autokratik i bandës së Edi Ramës për të ekzekutuar krimin e shëmtuar elektoral, për të kapur përmes një procesi monist antikushteutes, antielektoral, antiligjor dhe kriminal, pushtetin vendor. Vëllezër dhe motra kjo është vetëm rezultat i forcës tuaj të pathyeshme, i qëndresës tuaj i besimit tuaj të palëkundur te vlerat europiane, të lirisë, të demokracisë, të dinjitetit”, u shpreh Basha para protestuesve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




