Politike

Pas paralajmërimit të SHBA, PD: Jemi për protestë paqësore, policia synon konflikt


Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratave të Policisë dhe reagimit të fortë të zyrtarit të SHBA-së, Matthew Palmer se përgjegjës për dhunën në protestë do të jenë krerët e PD-së dhe LSI-së, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e ka cilësuar deklaratën e Policisë si një nxitëse të dhunës dhe që nuk i nuk i shërben stabilitetit të vendit.
“Qeveria ilegjitime që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike. Deklaratat e Policisë së kapur nga krimi janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët. Partia Demokratike ka thirrur sot në protestë të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa. I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e vlerave europiane dhe euroatlantike, ajo ka refuzuar dhe refuzon dhunën dhe bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet”, deklaroi Bardhi.
Për numrin dy të PD-së, “dhuna është mjeti kryesor me të cilin Rama mban pushtetin, duke goditur qytetarët e pambrojtur. Është Edi Rama ai që nxorri me gaz lotsjellës nga shtëpitë banorët tek bregu i Lumit, që kërcënon banorët e Astirit me shkatërrimin e shtëpive, që ka futur në burgje mbi 10 mijë qytetarë që nuk paguajnë dot energjinë elektrike, që u ka hequr bukën e gojës mijëra të tjerëve. Ky është zemërimi në rritje i mijëra e mijëra qytetarëve të tjerë, të poshtëruar e të dhunuar nga regjimi i Edi Ranës”.
Ndërsa në mënyrë indirekte i ka kthyer përgjigje edhe reagimit më të fundit të zyrtarit të DASH, duke u shprehur se PD synon të arrijnë qëllimin për t’u bërë njësoj si SHBA dhe vendet e BE-së.
“Partia Demokratike është e vendosur: asnjë hap pas për të drejtën themelore të njerëzve të lirë, votën e lirë, të pandikuar nga krimi dhe korrupsioni, njësoj siç ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani, Francë, Gjermani, Itali dhe kudo. Protestat tona i shërbejnë vetëm këtij qëllimi. Ripërsërisim sot apelin tonë drejtuar qytetarëve, që pavarësisht provokimit kriminal të drejtuesve të Policisë së Shtetit, që do të kenë fatin e njëjtë me atë të Edi Ramës, duhet të mbrojnë punonjësit e thjeshtë të policisë, të cilët kanë të njëjtat halle dhe probleme me secilin prej qytetarëve që dalin në protestë. Skenarët kriminalë të Edi Ramës, pengimi i të drejtës për të protestuar, dhuna dhe terrori mbi protestuesit nuk kanë për të na ndalur. Beteja jonë është për standardet dhe vlerat Europiane, prandaj ka bashkuar shumicën dërrmuese të shqiptarëve të ndershëm. Regjimi në grahmat e fundit është i tmerruar. Bashkimi i sotëm do të jetë madhështor. Fundi i modelit të Qeverisë së Avdylajve, është më i afërt se kurrë”, theksoi Bardhi, i cili ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën e sotme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë