Politike

Rama në vendlindjen e Metës: Nuk shtyhen zgjedhjet e 30 qershorit

Kryeministri Edi Rama vijon me fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit dhe sot destinacioni ishte vendlindja e presidentit Meta në Bashkinë e Çorovodës.
Duke folur për potencialet që ka kjo zonë, kreu i qeverisë nuk la pa e përmendur dhe falënderuar presidentin Meta, duke i njohur një meritë të madhe, pasi e ka prezantuar me një bukuri të madhe siç janë kanionet e Osumit.
“Unë jam i vetëdijshëm dhe që ti themi të gjitha ia di për nder Ilir Metës që më ka treguar mrekullinë e kanioneve që nuk e kisha njohur më parë. Jam i vetëdijshëm se çfarë potenciali i jashtëzakonshëm është kjo zonë për zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies për të gjithë ata që kanë vendosur për te jetojnë këtu”, tha ai.
Kryeministri ka kërkuar votën për kandidatin e Partisë Socialiste, Adriatik Mema duke u shprehur se ajo duhet të bazohet në vepra. Por, sipas tij, kandidati në fjalë do të sjellë cilësi të reja në qeverisje.
“Duhet të votohemi më 30 qershor sepse janë veprat që flasin. Ato që kemi bërë janë shumë më pak se ato që do të bëjmë në katër vitet e ardhshme. Jam i sigurt që mundësia për të bërë më tepër është në dorën tonë. Kandidati ynë do të sjellë cilësi të reja në qeverisje”, u shpreh kryeministri.
Nga atje kryeministri ka dhënë mesazhe të forta se çfarë do të ndodhë me ata që sipas tij, janë punësuar për interesa partiake, e jo në baze të aftësive në administratat vendore.
“Kush ka kontribuar dhe kontribuon në bashkitë e vendit për arsye të zotësisë, aftësisë, e përkushtimit nuk duhet të ketë asnjë dyshim se jo vetëm që nuk do të hiqet nga puna, por do të vlerësohet edhe më mirë për punën që bën. Kushdo tjetër që e di edhe vetë që është si mbushës i topit të një partie apo tjetër do largohet që në datën 1 korrik, në kuptimin simbolik se duhet kohë e caktuar për të formalizuar gjithë procesin”, theksoi Rama.
Për mandatin e dytë kryeministri bëri premtime për këtë zonë dhe i ftoi në që të votojnë për Partinë Socialiste dhe të ndahen një herë e mirë nga politika e dhunshme që sipas është opozita e dalë në rrugë.
“Do të përfundojmë rrugën Skrapar-Përmet. Nuk kemi bërë sa duhet për furnizimin me ujë të zonës 24 orë. Ne do të nxisim njerëzit që të kthejnë sytë nga agroturizmi. Do të ketë edhe mbështetje financiare për banorët. PS-ja ka kaluar përmes divorcesh dhe martesash, u bëj thirrje socialistëve që të shkojnë në kutitë e votimit sepse duhet një mbështetje jo thjeshtë për kandidatët tanë, por për Shqipërinë që duhet të ndahet nga politika e baltës dhe sherrit e një individi që e mban Shqipërinë nën tension prej 30 vitesh. Demokratët të ripërtërijnë udhëheqjen e tyre, pasi kanë marrë fund”, tha ndër të tjera kryeministri.
Lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve, kryeministri sqaroi se nuk mund t’i hapet rrugë një politike qorre, pasi është në dëm të vendit.
“Moshyrja e opozitës në zgjedhje nuk është për fajin tonë, ne nuk i kemi penguar, ata kanë pranuar të kapitullojnë. Prandaj zgjedhjet janë të ligjshme. Më 30 qershor është momenti për të ndarë të shkuarën dhe të ardhmen. Nëse i hapet rrugë kësaj politike qorre dhe regresive, kjo rrugë do ta marrë përpara kushedi sesa vite. Dëshiroj që çdo shqiptar i arsyeshëm ta mendojë si shqiptar se sa e tmerrshme është e gjithë rruga e baltës së tyre për të njollosur dhe injoruar Shqipërinë në sytë familjeve të Europës”, shtoi kryeministri.
Në fund, ai nuk la pa përmendur as çështjen e përgjimeve, që është kryefjalë e këtyre ditëve. Sipas tij, ka nevojë për hetim dhe i cilëson si një shantazh ndaj Reformës në Drejtësi.
“Përgjimet janë vetëm një arsye për të hetuar, duhet të ishin mbyllur me kohë. Nuk bëhet fjalë për luftën ndaj krimit të organizuar, por shantazh ndaj reformës në drejtësi. Në vend që të hetojnë, prokurorët kanë preferuar që ti shpërndajnë përgjimet”, u shpreh kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë