Për Partinë Demokratike listat e zgjedhësve janë të pabesueshme dhe janë modifikuar në 10 për qind të totalit të tyre. Akuza ka ardhur nga ish-deputeti i PD-së, Endi Hasa, i cili me anë të një postimi bën të ditur se kjo është faktuar nga raporti i Audituesve të pajtuar nga KQZ-ja, ku ekspertët janë përfaqësues të PD-së dhe PS-së. Në fakt selia blu është bazuar te raporti i ekspertit demokrat ku në konkluzion e tij ngre dyshimet e tij për ndërhyrje në listën e zgjedhësve.
“Nga Dhjetorit 2018 deri në listën finale rezulton që 350.843 qytetarëve i janë modifikuar të dhënat e banimit dhe për këto veprime mungojnë gjurmët e sistemi dhe dokumentacionet përkatëse. Mos identifikimi se kush ka kryer ndryshimet mbi të dhënat dhe mungesa e dokumenteve që kërkon ligji ka cenuar rëndë sigurinë e regjistrit dhe integritetin e listës së zgjedhësve. Në mënyrë arbitrare dhe pa dhe asnjë dokumentacion në 2.5 muaj janë shtuar 47.747 kode të reja banesash. Janë mbi 100 raste në të gjithë Shqipërinë ku kodet e banimit rezultojnë me mbi 300 banorë. Në Korçë Qendra e Votimit 3636 ka 1051 zgjedhës të regjistruar në banesën 141 që është godinë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Po kjo qendër ka 495 zgjedhës të regjistruar në banesë 529 që siç duket qartë në Google maps është lulishte”, thekson Hasa.

Më tej ai shprehet se “në Durrës QV 1470 në godinën e vogël me nr 22 banojnë plot 944 zgjedhës. Në Elbasan QV 2350 banojnë 408 zgjedhës në një hyrje të vetme pallati të ndërtuar para vitit ‘90.
“Të dhënat e 10% të zgjedhësve janë modifikuar pa asnjë dokumentacion dhe është cenuar rëndë lista e zgjedhësve. Këto janë listat e Edi Ramës dhe Sandër Lleshit, sepse vesi del me shpirtin dhe ata bëjnë çdo ditë çdo gjë vetë për të manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet sepse vetëm këtë dinë të bëjnë. Listat e zgjedhësve janë cenuar rëndë dhe janë modifikuar në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Gjendjen Civile. Ky është konkluzioni i raportit final të auditimit të kryer sipas kodit zgjedhor mbi veprimet në në Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile i paraqitur dje në mbledhjen KQZ”, deklaron Hasa.

Në raportin e tij, audituesi i propozuar nga PD, Zamir Hoxha shprehet: “Mos realizimi i procesit të lajmërimit me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të qendrave të votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore, sipas nenit 51 të Kodit Zgjedhor ndikon në mos saktësimin e adresave të zgjedhësve. Për sa më sipër në përfundim të periudhës së auditivit duke vlerësuar parregullsitë e hasura dhe në pamundësinë për të marrë informacionet e kërkuara nga ana ime në zbatim të dispozitave ligjore gjykoj se të gjitha ndërhyrjet e kryera për ndryshimin e elementëve zgjedhorë ku përfshihen rreth 10% e totalit të zgjedhësve dhe gjenerimi i listave me procedura manuale me ndërhyrje të personelit cenojnë rëndë besueshmërinë mbi listën e zgjedhësve dhe mund të krijojnë shkas për pamundësimin e votimit të zgjedhësve dhe problematika gjatë procesit të votimit”.
Ministria e cilësoi listën më të saktën
Më 25 maj ministria e Brendshme publikoi listën duke bërë të ditur se nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,536,015 shtetas shqiptarë, ndër ta, 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë; 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra.
Ministria e Brendshme do të theksonte se këto janë listat më të sakta. “Lista Përfundimtare e Zgjedhësve ka përmirësime të dukshme në raport me zgjedhjet e kaluara, qoftë ato për pushtetin vendor të vitit 2015, ashtu edhe ato parlamentare të vitit 2017. Për herë të parë u arrit të zbardheshin adresat e sakta për rreth 285 mijë zgjedhës, të cilët në vend të adresës së vlefshme kishin kodet 999, 888 dhe 000 në listën zgjedhore, duke i eliminuar këto kode. Në listën e përditësuar janë hequr dublikimet dhe votuesit mbi 100-vjeçarë, si dhe emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të ‘Dekriminalizimit’”, do të theksonte në deklaratën e saj ministria e Brendshme.

Pavarësisht kontestimit nga eksperti i PD-së, Ministria e Brendshme thekson se i gjithë procesi i hartimit të Listës Përfundimtare të Zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të KQZ-së, të cilët kanë pasur akses të plotë në çdo etapë të këtij procesi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




