Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili ndodhet prej tri ditësh në Berlin për të lobuar për çeljen e negociatave akuzon opozitën se është munduar të hedhë baltë edhe në Gjermani për të penguar rrugëtimin europian, akuza të cilat vijnë një ditë pasi gazeta gjermane ‘Bild’ publikoi disa përgjime të reja nga dosja 339.
“Për fat të keq, opozita shqiptare është munduar edhe në Gjermani, të hedhë baltë mbi Shqipërinë dhe mbi rrugën europiane të saj, por unë jam i bindur që këtu kjo baltë nuk ngjit për sa kohë që vlerësimi është teknik. Ky vlerësim ka të bëjë me realizimin e këtyre reformave; Reforma në Drejtësi, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit njihet si rezultat pozitiv dhe progres i dukshëm nga ana e Shqipërisë”, është shprehur Balla.
Në njoftimin për mediat thuhet se Balla i është referuar gazetës Die Welt sipas të cilës prezantohet Shqipëria e vërtetë dhe jo Shqipëria e disa mediave të cilat në mënyrë të qëllimshme mundohen t’i bëjnë dëm imazhit të Shqipërisë.
“Po ashtu dua të ndaj me ju faktin që gazeta më e madhe gjermane, për sa i përket edhe qasjes në politikën e jashtme, ‘Die Welt’ kishte një edicion të veçantë kushtuar Shqipërisë.
Në më shumë se 50 faqe kjo gazetë kishte prezantuar një Shqipëri të vërtetë, jo Shqipëria e disa mediave, të cilat në mënyrë të qëllimshme mundohen t’i bëjnë dëm imazhit të Shqipërisë”, është shprehur ndër të tjera Balla.
Deklarata e Ballës vjen një ditë pasi gazeta gjermane ‘Bild’ publikoi disa përgjime të reja nga dosja 339 mes Astrit Avdylit me Vangjush Dakon dhe zyrtarë të tjerë lokalë në Durrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




