Lajme

Përgjimet e ‘Bild’, deputeti i PS, Ndraxhi: S’kam lidhje me Avdylajt

Deputeti i PS, Ilir Ndraxhi emri i të cilit është përmendur në audiopërgjimet e publikuara nga prestigjiozja gjermane “Bild”, është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me Avdylajt, një nga bandat më të rrezikshme dhe më ndikim në zonën e Shijakut dhe të Durrësit.
Deputeti Ndraxhi thotë se Avdylajt nuk kanë bërë fushatë për të dhe nuk i ka takuar ndonjëherë.
“Pasi mora vesh për përgjimet, mora në telefon vëllain dhe e pyeta nëse ka ndonjë gjë të vërtetë, por ma mohoi. Avdylajt nuk kanë bërë fushatë për mua dhe nuk i kam takuar ndonjëherë. Unë kam dalë deputet për shkak të mbështetjes që kam në zonën time. Nuk di nëse vëllai im i njeh apo i ka takuar ndonjëherë”, është shprehur deputeti Ndraxhi për Ora News.
Në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane ‘Bild’, pretendohet që kreu i bandës, Astrit Avdylaj të ketë ndikuar që Ilir Ndraxhi të bëhet deputet në zgjedhjet parlamentare të 2017-s.
Dhe pikërisht në serinë e përgjimeve të “Bild” vihet re një bisedë për blerjen e votave ku Astrit Avdylaj shprehet se do ta surprizojë Edi Ramën për të fituar 10 deputetë të PS-së, siç rezulton në përgjimin ndërmjet Arjan Ndraxhit, vëllait të kandidatit për deputet të PS-së, Ilir Ndraxhi, i renditur i katërti në listën e socialistëve për Qarkun e Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë