Lajme

Balla: Optimist për negociatat, gati për dialog me PD

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, njëherazi edhe kryetar i grupit parlamentar gjermano-shqiptar ndodhet prej dy ditësh në Gjermani për të lobuar në Bundestag për çeljen e negociatave.
Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle-s, Balla deklaron se deputetët e maxhorancës gjermane, e sidomos të partisë kristdemokrate CDU kanë perceptime të ndryshme për çështjen e çeljes së negociatave. Qeveria gjermane ende nuk ka dalë me një opinion zyrtar.
“Unë kur i referohem qeverisë gjermane i referohem kancelare Merkel, që mbetet një luftëtare e paepur për mbajtjen gjallë të procesit të zgjerimit të BE. Unë besoj se ka një shumice të cilësuar brenda Bundestagut që do të mbështesë fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, është shprehur Balla.
Gjatë intervistës ai ka folur edhe për kaosin politik në Shqipëri dhe ka deklaruar se PS është e gatshme për dialog me PD-në, por kushtet e kësaj të fundit nuk mund të merren as në konsideratë nga forca politike ku bën pjesë.
“Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për dialog. Besoj që jemi të maturuar për të pasur një dialog pa qenë nevoja e miqve të huaj për të ardhur për të na ulur në tavolinë. Jo pa qëllim kryeministri Rama në 7 letra publike, 6 prej tyre drejtuar z.Basha dhe e shtata drejtuar demokratëve të vendit, për të shpjeguar arsyen dhe domosdoshmërinë që ne në këtë fazë të rëndësishme të procesit të realizimit të aspiratës historike për anëtarësim në BE të jemi bashkë, por kjo nuk ka qenë e mundur për shkak se lidershipi i PD vijon qasjen e tyre kundër Reformës në Drejtësi, kundër zhvillimit normal të demokracisë në Shqipëri, duke artikuluar kërkesa që në asnjë rast, nuk mund të merren në konsideratë nga ana jonë”, u shpreh Balla.
Deputetët e maxhorancës gjermane, e sidomos të partisë kristdemokrate CDU kanë perceptimet të ndryshme për çështjen e çeljes së negociatave. Qeveria gjermane ende nuk ka dalë me një opinion zyrtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë