Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili ndodhet prej dy ditësh në Berlin, ka ndarë edhe detajet nga punimet e Foncacionit Konrad Adenauer.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Basha shprehet se bashkëpunimi me Këshillin Ekonomik Gjerman ishte një mundësi e rrallë për të bashkëbiseduar me Presidentin e këtij këshilli.
Lideri demokrat njofton se ka prezantuar planin ekonomik të PD-së nëse do të vijë në pushtet me theks kryesor investimet e huaja.
“Thithja e investimeve gjermane dhe bashkëpunimi për trajnimin e të rinjve për ti përgatitur për tregun e punës në Shqipëri, Gjermani a vende të tjera të Bashkimit Europian janë objektivi ynë prioritar. Sot biznesi shqiptar dhe investitorët e huaj kanë nevojë për shtet ligjor, sisteme funksionale, konkurrencë të ndershme dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit. Unë dhe Partia Demokratike nuk do të ndalemi derisa t’i bëjmë realitet këto”, shkruan Basha në “Facebook”.
Kryedemokrati thotë se arsimi, shëndetësia, bujqësia, turizmi dhe teknologjia e informacionit janë ndër prioritetet kryesore, të cilat kërkojnë vizion dhe mbështetje financiare për t’i nxjerrë nga gjendja e mjeruar ku ndodhen sot.
“Ne do të bëjmë gjithçka në këtë drejtim, duke bashkëpunuar dhe u mbështetur tek përvoja shumë e suksesshme e Gjermanisë. Në veçanti u ndala dhe te projektet infrastrukturore, rrugore dhe portuale të parashikuara në planin tonë dhe që synojnë shkurtimin e distancave dhe rritje të shkëmbimeve tregtare mes vendeve të rajonit dhe me ato të Bashkimit Europian. Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të rifitojë kohën e humbur e të kthehet në qendër të investimeve rajonale të kompanive prestigjioze gjermane dhe jo vetëm, çka do të sjellë punësim dhe zhvillim ekonomik për qytetarët tanë”, shkruan më tej lideri demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




