Kombetarja

Cikalleshi e Ajeti vlerësojnë Rejan: Shpresojmë në fitore me Islandën

Në ditën e katërt të përgatitjeve që po zhvillohen në Frankfurt për ndeshjen eliminatore me Islandën dy futbollistët e kombëtares që kanë folur për mediet, ishin sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mbrojtësi Arlind Ajeti. Të dy futbollistët kanë folur me superlativa për trajnerin e ri, dukë theksuar se janë duke u përgatitur shumë seriozisht në këto ditë. Cikalleshi tha se nuk ka shumë rëndësi kush luan, por ajo që jepet në fushë nga të gjithë. Për sulmuesin kavajas të luash me ekipin përfaqësues është gjithmonë një privilegj dhe nder i veçantë.

“Të jesh është pjesë e Kombëtares është kënaqësi dhe të kontribuosh është një nder. Kështu do jetë gjithnjë, ndjehemi mirë po punojmë me intensitet të lartë. Me ardhjen e trajnerit të ri jemi mirë dhe punojmë shumë, uroj që këtë punë ta shfaqim në ndeshjen kundër Islandës. Në dy grumbullimet e fundit kam qenë i dëmtuar, ftesa nga Panuçi më ka ardhur, nuk është se nuk më ka ardhur ftesa. Tashmë jemi në kapitull të ri dhe është më mirë ta lëmë pas të kaluarën”.

Sa i përket skemës, për sulmuesin që aktivizohet në Superligën Turke nuk ka shumë rëndësi, pasi cilido nga katër sulmues të zbresë në fushë nga minuta e parë do të jap maksimumin për ekipin kombëtar. “Duke iu referuar sistemit të ri, duket se sulmuesit, janë më të avantazhuar për të luajtur. Nga 4 që jemi luajnë 2 por nuk është përfundimtare. Nuk kemi problemi kush luan, kushdo që ka luajtur e kemi mbështetur. Kur ka luajtur Bakaj, Sadiku apo Uzuni, do të kenë mbështetje. Ajo që është më e rëndësishme, është që kjo harmoni e re që është krijuar do të na ndihmojë në ndeshjet e radhës. Edhe pse futbolli nuk është matematik, por ndjehet diçka e re një fillimi i ri. Shpresoj ta konkretizojmë me Islandën dhe Moldavinë.”- tha Cikalleshi.

Ndërsa mbrojtësi Arlind Ajeti tha se me trajnerin e ri shpreson që mos të përsëriten gabimet e së shkuarës. Mes të tjerash Ajeti tha se duhet të lihet pas ajo që ka ndodhur me trajnerin Panuçi dhe të shikohet me pozitivitet drejt dy ndeshjeve të ardhshme. “Më duket shumë mirë, kemi bërë stërvitje me intensitet. Atmosfera me lojtarët dhe stafin është shumë mirë siç nuk e kemi pasur në kohë të gjatë. Nuk kam përgjigje, nuk e di pse ishte ashtu. Nuk e di sa kam qenë në atë kohë, por ne mundohemi të japim maksimumin, pavarësisht trajnerit ne luajmë për kombin tone. Ka ndeshje që nuk luajmë mirë, por jemi të gjithë faktorë, shpresoj në ndeshjen e radhës të përmirësohemi. Forca jonë është të luajmë me zemër, me mbrojtje të mirë dhe me trajneri i ri na ka dhënë disa gjëra ekstra.  Do mundohemi të përcjellim ato çfarë do trajneri”, tha Ajeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë