Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, e ka cilësuar emergjente situatën në Korcë pas tërmeteve të njëpasnjëshme që tronditën zonën.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Salianji shkruan se në zonat e prekura ka nevojë emergjente për ushqime, ilaçe e batanije. Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka ngritur akuza se punonjësit e administratës nuk po furnizojnë me ushqime simpatizantët e PD.
“Situatë më emergjente se çdo emergjencë, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, dëmshpërblimi për çdo pronë të dëmtuar dhe përqendrimi i gjithë burimeve në bashkitë Korçë, Devoll dhe Kolonjë, kryesisht në Floq, Qafzez dhe Vidohovë në zonat e shkatërruara nga tërmeti! Nuk zgjidhet situata me Facebook dhe me parada, por me përqendrim të çdo burimi në zonë, ka nevojë emergjente për ushqime, ilaçe, batanije dhe më shumë se këto kanë nevojë të sigurohen që prona dhe jeta e tyre do të rindërtohen!”, shkruan ish-deputeti Salianji.
Ish-deputeti Salianji ka ngritur edhe akuza se punonjësit e administratës nuk po furnizojnë me ushqime simpatizantët e PD.
“Turpi i mbuloftë gjithë ata punonjës administrate që i ndajnë për të majtët dhe jo për votuesit e PD dhe pakon e makaronave që nevojitet për të mbajtur frymën e banorëve”, shkruan ndër të tjera Salianji.
Ndërkohë një ditë më parë, kreu i qeverisë, Edi Rama, njoftoi se të gjitha banesat do të rindërtohen. Kryeministri deklaroi se pas inventarit të dëmeve do të nisë dëmshpërblimi dhe rindërtimi i banesave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




