Gjykata e Krimeve të Rënda ka liruar njërin prej 3 efektivëve të Policisë së Sarandës, të arrestuar në kuadër të operacionit “Volvo 4”. Është liruar Jasin Abdul që u arrestua në dhjetor 2018, ndërsa sot është vendosur ndryshimi i masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për arsye shëndetësore. Gjykata ka urdhëruar po ashtu që ky shtetas pavarësisht se në “arrest shtëpie”, nuk duhet të kontaktojë me asnjë person të jashtëm.
Operacioni i koduar “Volvo 4” është ndërmarrë në dhjetor 2018, u shtri në 12 qytete dhe u goditën anëtarët e 4 grupeve të skeduara kriminale. Jasin Abdul u arrestua bashkë me 26 shtetas të tjerë për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Ky megaoperacion solli dhe arrestimin e ish-drejtorit të Burgjeve, Arben Çuko, dhe ish-deputetit tjetër socialist, Arben Ndoka. Dy ish-deputetët socialistë u liruan më pas dhe aktualisht janë në arrest shtëpie, ndërsa persona të tjerë ndodhen në kërkim.
Gjatë këtij operacioni gjithashtu u godit një laborator i përpunimit të heroinës në fshatin Brenog në Has, ku ndër të tjera janë sekuestruar 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




