Lidhur me tërmetet e njëpasnjëshme në zonën e Korcës, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, do të zhvillojë nesër një mbledhje me Shtabin e Emergjencave në Korçë dhe do të vizitojë familjet në fshatrat e prekura nga tërmeti.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile bën me dije edhe bilancin real të dëmeve.
Deri më tani Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, ka regjistruar rreth 100 lëkundje sizmike në qarkun e Korçës.
Lëkundja më e fortë ka qenë më datën 02.06.2019, ora 15:34:53, me koordinata 40.450 në Veri dhe 20.780 në Lindje, magnitudë M=4 Rihter, dhe me epiqendër 18 km në jug të qytetit Korçë.
Nga informacionet e marra është raportuar se lëkundjet e tërmetit janë ndier në zonat përreth epiqendrave, por pa pasur dëme materiale dhe njerëzore. Ministria njofton se situata është nën monitorim të vazhdueshëm.
Ndërkohë, nga verifikimi i bërë në 3 fshatra rezultojnë 184 banesa të dëmtuara, prej të cilave 95 të dëmtuara rëndë, pjesa më e madhe e tyre banesa të pabanueshme prej vitesh.
Në fshatin Floq janë sistemuar 160 banorë në 13 çadra me kapacitet deri në 20 vende.
Në fshatin Vidohovë janë ngritur 4 çadra, sipas nevojave të banorëve. Janë sistemuar 40 persona dhe nga këta 20 persona në kishën e fshatit dhe 20 te të afërmit e tyre.
Në fshatin Qafëzez janë sistemuar 30 persona në 5 çadra të ngritura nga 10 që janë dërguar. Në këto dy fshatra, disa prej banorëve kanë kërkuar që të strehohen pranë të afërmve të tyre.
Janë dërguar 240 pako ushqimore, 100 thasë me miell, 100 detergjente. Nga këto 100 pako janë dërguar nga organizata joqeveritare, 100 pako ushqimore nga Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit për të tre fshatrat dhe 40 pako nga Kryqi i Kuq për tri fshatra.
Për furnizimin me ujë të pijshëm në fshatin Floq është vënë në dispozicion 1 bot i Detashmentit të Mbështetjes Rajonale, si dhe bidonë me ujë të pijshëm nga TAP. Nga TAP është siguruar ushqim ditor për 160 banorë të fshatit Floq.
Po ashtu, Emergjencat njoftojnë se shërbimi shëndetësor ka qenë dhe është prezent pranë familjeve të evakuuar dhe ka kryer ndërhyrje për çdo rast problematik kur është paraqitur. Në fshatin Floq është ngritur 1 qendër shëndetësore.
Janë angazhuar në total 15 mjete nga të cilat Prefektura 2, Detashmenti i Mbështetjes Rajonale 3, Policia 2, Spitali Korçë 1, Bashkitë 6, Kryqi i Kuq 1, si dhe grupi vullnetar i Bashkisë Tiranë 1.
Nga strukturat e FA të Ministrisë së Mbrojtjes në këto 2 ditë janë angazhuar gjithsej në ndihmë të banorëve të zonës 47 forca, 4 mjete dhe 2 zjarrfikëse.
Krahas drejtuesve të bashkisë dhe prefekturës, specialistëve të EC, të cilët janë në terren që prej momenteve të para, në Korçë situata është ndjekur nga afër nga Drejtori i Përgjithshëm, Haki Cako, zv. ministri Petro Koçi dhe disa ministra të ministrive të linjës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




