Politike

Shtyhet seanca ndaj Klevis Balliut: Është thjesht një çështje politike

Gjykata e Apelit ka shtyrë seancën gjyqësore për ish-deputetin e PD-së Klevis Balliu dhe për 3 banorë të Astirit, pasi akuzohen për dhunën e ushtruar më 7 maj te unaza e Tiranës.
Atë ditë, ish-deputeti Balliu së bashku me personat e tjerë të akuzuar, bllokuan rrugën duke u konfrontuar dhe me policinë në mënyrë që të pengonin kryeministrin Rama që kishte një takim pranë fabrikës së miellit.
I pyetur nga gazetarët për shtyrjen e seancës, ish-deputeti Balliu e cilësoi një cështje politike.
“Seanca u shty për shkak se kur shteti bie nuk funksionon më asnjë gjë, nuk bëhet më as njoftime, as për njerëz të tjerë që janë nën hetim dhe seanca u shty.
Erdhëm për të marrë vendimin për një arrestim politik, për akuza politike ndaj meje dhe disa protestues të Unazës, dhe sot seanca u shty sepse nuk është njoftuar njëri apo nuk është njoftuar tjetri, sepse duhet të kemi parasysh se nuk bëhet asgjë në bazë të ligjit.
Është thjesht një çështje politike për të trembur opozitën, për të trembur qytetarët që të mos dalin të protestojnë”, u shpreh Balliu.
“Këto janë përpjekje mjerane. As opozita dhe as qytetarët nuk do të ndalojnë protestën. Këtu siç e shihni nga seanca e fundit, kur vjen një ish-deputet me avokatët e tij, sepse është thirrur, ndërkohë të tjerë nuk thirren nga Prokuroria apo nuk çohen letrat në adresat e duhura, sepse nuk funksionon shteti. Ne sot jemi pa qeveri, ne sot jemi pa institucione. Është pikërisht kjo arsyeja se përse qytetarët ndodhen nëpër burgje, ndërkohë që banditët janë të lirë”, vijon më tej ish-deputeti i PD-së.
Balliu thotë se asgjë nuk do ta ndalë opozitën në kauzën e saj, derisa të largohte kryeministri Edi Rama.
“Unë di të them vetëm një gjë, ne jemi gati, qoftë në rrugë, qoftë në Prokurori, qoftë në Gjykatë kudo që të na thërrasin, nuk do të ketë në asnjë moment që opozita do të ndalet për kauzën më të drejtë që është liria e fjalës, që është e drejta e votës, që është drejtësia që njerëzit të mbajnë përgjegjësi për krimet që bëjnë. Nuk do të ketë asnjë moment të kësaj opozite apo të këtyre qytetarëve që do të ndalet, derisa Edi Rama të largohet”, thekson ndër të tjera ish-deputeti Balliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë