Lajme

‘I forti’ i Myslym Shyrit mbetet në burg për vrasjen e ish policit

Gjykata e Tiranës la në burg Gjergj Cukalin, i cili u arrestua dy ditë më parë si i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, që u ekzekutua me armë zjarri në zonën e Selitës në Tiranë, më 30 janar të këtij viti. 40 vjeçari nga Tirana, i njohur ndryshe si i ‘forti’ i Rrugës Myslym Shyri u fundos nga ADN-ja e gjetur në automjetin e përdorur për vrasjen e ish-policit.

50-vjeçari Arben Bilali u ekzekutua sapo zbriti nga një automjet tip “Volkswagen Golf” me targa të huaja dhe po ecte në drejtim të trotuarit, pranë banesës së tij. Pas tij u afrua një automjet tip “Mercedes Benz” i zi dhe me targa të falsifikuara dhe e qëlloi me breshëri 14 herë.

Cukali  rezulton i dënuar më parë për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Rrëmbim personi”.

Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fatjon Demirlika në vitin 2004.
Banda ku bënte pjesë ai kishte djem të cilët banojnë në rrugën “Myslym Shyri”, Ilir Kodumi, Ledio Lito, Gjergj Cukali, Eduart Skukaj si dhe Florina Metalla. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë