Kombëtarja kuqezi po futet gradualisht në përgatitjet specifike për ndeshjen me Islandën, që shënon edhe debutimin e trajnerit Edi Reja në stolin kuqezi. Italiani tashmë e njeh më mirë grupin, pasi u bënë disa ditë që ai punon me lojtarët në Durrës. Thuajse të gjithë e vlerësojnë trajnerin për mënyrën e sjelljes dhe komunikimin, diçka që e kanë evidentuar në konferencë shtypi edhe Odise Roshi dhe Amir Abrashi. Dy mesfushorët theksuan në konferencë shtypi se ndeshja me Islandën ka rëndësi të veçantë dhe se mund të konsiderohet një sfidë direkte. Të dy këta futbollistë kthehen pas dëmtimesh të gjata dhe janë gati të ndihmojnë Kombëtaren të kthehet në nivelin e mëparshëm.
Odise Roshi është shprehur se ekipi ka kualitet dhe se duhet parë përpara, duke lënë pas atë që ka kaluar: “E kemi nisur shumë mirë me trajnerin e ri, çdo gjë ka vajtur mirë. Jemi të përqendruar te ndeshja me Islandën. Panuçi? Të gjithë lojtarët kemi respekt për trajnerin, jemi profesionistë dhe respektojmë çdo trajner që punon me ne. Reja është një njeri shumë i komunikueshëm, e njohim të gjithë për përvojat që ka pasur më parë në karrierë. Me atë që kam parë këto ditë në stërvitje, mendoj se është çdo gjë perfekte. Djemtë janë shumë të lirshëm dhe po punojmë shumë fort për ndeshjen me Islandën.
Ne thjesht kemi bërë më të mirën me Kombëtaren, nuk duhet të merremi me të kaluarën, duhet të merremi me lojtarët që janë grumbulluar dhe të bëjmë më të mirën së bashku. Kemi shumë lojtarë të mirë, me kualitet, po e provojmë skemën e trajnerit të ri, sipas së cilës duhet të punojmë mirë në të dyja fazat e lojës. Më mirë t’ia lëmë fushës, por mund të fitojmë. Vij nga një dëmtim i gjatë dhe kam punuar fort që të kthehem në formën më të mirë. Kam filluar të luaj rregullisht prej dy muajsh. Jam thuajse 100% gati për Kombëtaren. Islanda ka një ekip shumë të fortë, e kam ndjekur në ndeshjen me Francën, ku ka humbur, por ishte një ekip i fortë sulmues. Eshtë një sfidë direkte me ta dhe duhet të marrim rezultat”, – tha futbollisti fierak. Mbetet të shihet, nëse trajneri Reja do të zgjedhë atë si titullar, apo do ta nisë nga stoli.
Edhe Amir Abrashi ka pohuar se ndeshja në Islandë ka një rëndësi shumë të madhe. Ai ka shmangur krahasimin mes trajnerëve dhe ka bërë apel që të gjithë të jenë sa më të bashkuar në ekip: “Kam filluar të luaj me Frajburgun dhe në fund të sezonit u lodha pak. Kisha disa ditë për t’u çlodhur pak dhe tani jam i freskët. Kemi pasur ndeshja të mire si Kombëtare, por kemi pasur edhe ndeshje që nuk kanë qenë të mira në lojë dhe rezultat. Ka pasur shumë ndryshime, shumë lojtarë që kanë pasur dëmtime. Duhet të marrim rezultat pozitiv me Islandën, sepse e dimë çfarë rëndësia ka kjo ndeshje për ne. Nuk i krahasoj trajnerët, secili ka filozofinë e vet dhe rezultatet tregojnë gjithçka. Me rëndësi është që ekipi të jetë i bashkuar, edhe ai që nuk luan nuk duhet të bëhet nervoz, por të jetë me zemër me ekipin. Me zemër duhet të luftojmë për Kombëtaren. Jam plotësisht gati, sepse nëse nuk do të isha, nuk do të isha këtu. E vendos trajneri, nëse luaj apo jo, por unë jap çka kam për ekipin”, – theksoi mesfushori që luan me Frajburgun në Gjermani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





