Lajme

Holanda çon kërkesën në Bruksel: Pezulloni vizat për shqiptarët

Ashtu siç ishte paralajmëruar, qeveria e Holandës ka dorëzuar sot zyrtarisht në Komisionin Europian kërkesën për rikthimin e vizave për shqiptarët.

Projekt rezoluta e dërguar në Bruksel u miratua pak kohë më parë nga parlamenti holandez, nën argumentin e rritjes së emigracionit dhe kriminalitetit shqiptar.

Në letrën drejtuar Komisionerit për Emigrimin dhe Punët e Jashtme, Dimitris Avramopulos, Holanda kërkoi me shkrim që Komisioni Europian të konsiderojë pezullimin e vizave për shqiptarët.

“Gjatë viteve të fundit, çështjet që kanë të bëjnë shtetasit shqiptarë kanë marrë shumë vëmendje në Holandë. Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si Amsterdami dhe Roterdami dhe rajone të tjera në vendin tonë. Një zhvillim tjetër është numri në rritje i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, kryesisht njerëz të rinj që dëshirojnë të fillojnë një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar”, e nis Holanda kërkesën e saj. “Numri i aplikimeve për azil nga shtetas shqiptarë është gjithashtu i lartë. Këto rrethana po minojnë mbështetjen e publikut në Holandë për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë”, thekson kërkesa.

Kërkesa ka mbërrtur në duart e Komisionit Europian vetëm dy ditë pas rekomandoi hapjen e negociatave me vendin tonë.

Ambasada Holandeze në Tiranë: Por lëvizja e lirë vijon deri në një vendim

Parlamenti Holandez i kërkoi Qeverisë holandeze në datën 16 Prill të aktivizonte mekanizmin e pezullimit të vizave për Shqipërinë për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar.

Për ta ekzekutuar këtë mocion, qeveria Holandeze i dërgoi një letër njoftuese Komisionit Europian në datën 31 Maj.

Në këtë letër, Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Holanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.

Holanda e vlerëson bashkëpunimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Të dyja vendet po punojnë në fuqizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Në vijim të letrës njoftuese, Komisioni Europian do të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim. Komisoni do të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi.

 Deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pasaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë