Politike

Shefi i NATO-s në Tiranë në ditën e protestës, takim me Ramën dhe Metën


Më 2 qershor Tiranën do ta vizitojë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pikërisht në ditën kur opozita pasditen e së dielës ka parashikuar protestën e shtatë kombëtare. Vizita duket e pa rogramuar, pasi nuk është njoftuar në faqen zyrtare të Aleancës, por bëhet e ditur vetëm se Stoltenberg do të vizitojë vetëm për dy ditë Maqedoninë e Veriut. Shteti fqinj pritet të jetë anëtari më i ri NATO-s dhe pikërisht nga kjo vizitë parashikohen takime të zyrtarit të lartë të Aleancës me kryeministrin Zoran Zaev, presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferri.
Sa i përket vizitës në Shqipëri nuk ka asnjë informacion paraprak, por sipas burimeve mësohet se shefi i NATO-s do të zhvillojë një takim “kokë me kokë” me kryeministrin Edi Rama, ndërsa më pas në orën 15:30 do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp.

Sipas burimeve të Gazeta SI, kreu i Aleancës do të takohet edhe me presidentin e vendit, Ilir Meta, që do të zhvillohet pas konferencës së përbashkët të Stoltenberg me Ramën.

Pas rreth dy orësh, pasi Stoltenberg të udhëtojë drejt Shkupit, opozita do të zhvillojë protestën e radhës përpara Kryeministrisë. Një situatë e pazakontë sa i takon masave që duhet të marrë policia për sa i përket masave të sigurisë më 2 qershor.
Pikërisht kjo ndalesë e Stoltenberg duket e paprogramuar dhe mund të lidhet dhe me situatën politike që po përjeton Shqipëria në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Opozita ka paralajmëruar bojkotin e këtij procesi zgjedhor, duke theksuar se do t’i pengojë votimet, ndërsa mazhoranca është e vendosur për të shkuar në zgjedhje, ku më 1 qershor pritet të çelë zyrtarisht edhe fushatën elektorale.
Kryeministri Edi Rama me anë të gjashtë ftesa publike i ka kërkuar kryedemokratit Lulzim Basha që të ulen dhe bisedojnë për krizën politike, duke mos pranuar ndërkohë që të negociojë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Nga ana e tij, Basha i është kundërpërgjigjur se si zgjidhje të vetme opozita sheh largimin e Ramës nga posti i kryeministrit, krijimin e një qeverie tranzitore dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Situata në Ballkan, si në Kosovë, Serbi, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri është ndjekur me shumë interes nga NATO, pasi Aleanca prej kohësh ka shprehur shqetësimin se situata, apo protestat mund të ndikohen nga influencat ruse, të cilat duan një rajon të pa stabilizuar. Ndërhyrja e Rusisë në këtë rajon të brishtë shihet si tejet shqetësuese nga ana e NATO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë