Lajme

Kosova dëbon rusin e UNMIK-ut, pengoi operacionin në veri

Shtetasi rus, pjesë e stafit të misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i cili u arrestua nga policia gjatë aksionit në Veri të Mitrovicës është shpallur person “non grata” nga qeveria e Prishtinës.

Mikhail Krasnoshchenkov u arrestua pranë komunës me shumicë serbe të Zubin Potokut. Policia e Kosovës tha se shtetasi rus kishte penguar operacionin e forcave speciale të Policisë, gjatë së cilit kishte paraqitur edhe dokumentacionin si pjesë e misionit UNMIK.

Vendimin për shpalljen e tij “non grata” e njoftoi Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019”, shkruan Haradinaj në rrjetet sociale.

Kryeministri i Kosovës kërkon prej përfaqësisë së OKB-së në Prishtinë që të respektojnë vendimin dhe kujtojnë se me veprimet e veta, shtetasi rus ka kundërshtuar rendin kushtetues të Kosovës.

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli tha se do të ushtronte të gjitha kompetencat që i jepte ligji dhe Kushtetuta e vendit për të mos lejuar hyrjen në Kosovës të Kryeministres serbe, Ana Brnabiç. Vendimin e justifikoi me deklaratat raciste të Brnabiç, e cila gjatë një aktiviti në Beograd, edhe në prani të ambasadorit të BE-së në Serbi i cilësoi shqiptarët “njerëz të trashë”.

Në lidhje me deklaratën e Brnabiç ka reaguar edhe zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç. Ajo thotë se gjuha raciste dhe epitete ofenduese nuk ndihmojnë në uljen e tensioneve mes dy vendeve dhe shtoi se Komisioni bën thirrje për vetëpërmbajtje e distancim nga deklarata e paragjykime të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë