Raporti i Komisionit Europian ka qenë objekt i diskutimeve në Parlament mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Parlament tha se raporti është një pasqyrë reale e arritjeve dhe mosarritjeve të Shqipërisë, por në ndryshim nga raporti i një viti më parë, progresi vihet re qartë.
“Raporti i Komisionit, që është më i besueshmi i ndërkombëtarëve, në raport me çdo detaj të problematikave të një vendi në rrugën e anëtarësimit në BE hedh poshtë çdo pretendim dhe përpjekje për ta treguar reformën në drejtësi si dështim, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si një dështim dhe në vijimësi në çdo aspekt raporti jep një pasqyrë besnike të arritjeve dhe problemeve. Jemi të vetëdijshëm për problemet dhe krenarë për arritjet. Të gjithë ata që i ben fyellit në atë vrimën e vetme për të bërë të njetjën muzikë duke përsëritur të njetat broçkulla, për të krijuar një perceptim të imponuar ndryshe tek shqiptarët, sot, mund t’ju thuhet me plot gojën se në atë pasqyrë Shqipëria mund të shohë çfarë ka bërë dhe çfarë do bëjë”,deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama duke folur për krizën politike theksoi se “zgjedhjet e 30 qershorit nuk negociohen. Data 30 qershor buron nga Kushtetuta si përcaktim në dekretin e presidentit bazuar mbi Kushtetutë”. Nga foltorja e Kuvendit Rama përsëriti edhe një herë ftesën për dialog. “Raporti tregon dhe çfarë ajo opozitë duhet të bëjë sot në vend të asaj që po bën. Ne mbetemi të vendosur të stimulojmë një proces dialogu me opozitën por pa diskutim nuk kemi asnjë gatishmëri për të negociuar Kushtetutën si ligj themelor që na imponon të gjithëve ta respektojmë në funksion të zgjedhjeve që i përkasin popullit dhe jo partive. Kemi gatishmërinë të dialogojmë por asnjëherë nuk negociojmë legjitimitetin dhe detyrimin për vazhdimësinë e këtij parlamenti. Detyrim që buron nga një mandat i qartë në bazë të së cilit për ne është e pamundur që atyre që na kanë zgjedhur tu themi: na falni por ata që nuk na zgjodhën do kenë prioritet në raport me ata që na zgjodhën”, theksoi Rama.

Rudina Hajdari përplaset me Ramën
Deputetët e opozitës së re në parlament kërkuan t’i tregojnë Ramës se prezenca e tyre do t’i sjellë një frymë të re politikës. Demokratja Rudina Hajdari deklaroi se asnjë nga liderët tanë të vendit nuk e bind dot BE. “Një njeri që sillet nëpër Europë me ca reforma të paimplementuara dhe nga ana tjetër bën tangon e Serbisë, sot ndihet më i dembelosur se kurrë”, theksoi ajo. Deputetja ironizoi Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, duke theksuar se nuk u intereson integrimi. “A thua se opozitës jashtë parlamentare i intereson integrimi. Opozita jashtë parlamentare që zgjedh të protestojë në ditë pushimi, poshtë godinës së kryeministrisë. Protestojnë kundër kryeministrit në ditën që ai e ka pushim”, u shpreh Hajdari.

Niveli i diskutimit në Kuvend, sipas Hajdarit duhet të ndryshojë dhe të mos ketë më fjalime për fantazmat e të shkuarës siç tha ajo duke ju referuar opozitës jo parlamentare. E quajti një kusur që nuk ka përse ta përballojë faktin që opozita jo kuvendore e akuzon si njeri të Ramës.. “Ç’kusur kam unë të merrem me kusuret e kundërshtimeve, e çdo gjëje që ka ndodhur në këtë Kuvend, ç’kusur kam të merrem me opozitën që thotë se jam palë me ju, pse unë sot mund të mos kem bindjet e mia në këtë vend, të mos merremi me fantazmat e së shkuarës, unë kam bindjet e mia dhe do të qëndrojë në këtë vend bashkë me këtë grup se ne luftojmë për një elitë politike. Nëse jeni për retorikë bëjeni siç duhet por jo me propaganda të dalë boje”, theksoi Hajdari.
Kryemnistri Rama iu kundërpërgjigj këtyre qëndrimeve, duke theksuar se për sa kohë je në politikë duhet të përballesh. “Zonja Hajdari këtë kusur të gjithë e kemi zgjedhur kur kemi vendosur të merremi me politikë. Për fat të keq politika në këtë vend është ende larg së qeni arti i të marrurit vesh mes njerëzve. Për sa i takon kusurit që ju thonë gjëra që nuk doni ti dëgjoni, ju siguroj që nuk jeni vetëm. Por është pjesë e zgjedhjes që bëjmë. Është e drejta dhe puna juaj, nuk mund t’i ankoheni askujt se atë kusur e keni për vete. Siç do thoshte Kujtim Gjuzi, çdo kush mban kryqin e vet. Sa i përket retorikës. Nuk është fjalë e keqe retorika, është art”, replikoi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




