Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç është vendosur publikisht në listën e zezë të personave që nuk do t’u lejohet hyrja në Kosovës. Ky është zotimi i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili përmes rrjeteve sociale reagoi pas disa deklaratave të kryeministres serbe.
“E them me përgjegjësi që sa të jem unë ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës, nuk do të lejoj që Kryeministrja serbe të hyjë në Kosovë, për sa kohë që ajo të ndjek një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu”, shkruan Pacolli.
Reagimi i tij mbërriti pas deklaratave raciste të Ana Brnabiç, e cila në prani të ambasadorit të Bashkimit Europian në Beograd i cilësoi shqiptarët si “njerëz mali e të trashë”.
Pacolli e cilëson të pështirë këtë koment, aq më tepër në sy të ambasadorit të BE-së, Sem Fabrizi.
“Ky racizëm i institucionalizuar në Serbi e ka brumin në ideologjinë ultranacionaliste të sëmurë që promovon Qeveria e Ana Brnabicit. Shpresoj që Europa sot të kuptojë se me çfarë lloj njerëzish kemi të bëjmë, me ata që kanë mbështetur vrasjet masive dhe mohojnë krimet e luftës të kryera nga Beogradi në ish-Jugosllavi”, thotë ministri i Jashtëm i Kosovës.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë përshkallëzuar që prej vendosjes së taksës mbi produktet serbe nga ana e Qeverisë së Prishtinës. Taksa mbrohet me argumentimin se Serbia nuk po respekton marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel dhe po minon vazhdimisht me aksionet e saj shtetin e Kosovës.
Përplasjet kanë ndërprerë pa afat dialogun e nisur në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve, ndërkohë aksioni i fundit i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës kundër disa grupeve kriminale në fushën e kontrabandës u interpretua në Beograd si “spastrim etnik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




