Politike

Ish-deputetët e PD në Prokurori, Alibeaj: Akti i sotëm i pavlefshëm

Gjashtë ish-deputetët e Partisë Demokratike që u proceduan penalisht u merren në pyetje nga prokuroria e Tiranës. Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimi, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi dhe Anton Frrokaj dhanë sqarime për ngjarjen që ndodhi pas protestës së 16 shkurtit, për dhunën ndaj policëve në mjediset e drejtorisë së policisë Tiranë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë thotë se ka kryer hetime duke ngritur akuzë “për veprën penale të Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik, kryer në përdorim të dhunës dhe në bashkëpunim”.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi pas daljes nga prokuroria se janë të angazhuar për të dalë e vërteta dhe e ka cilësuar aktin e sotëm të pavlefshëm.
“Sot i bëra të ditur edhe prokurorit të çështjes që aktet të mos kalojnë nëpërmjet medias, por të vijnë direkt në dorën tonë. Ne nuk dimë se çfarë materialesh ka mbledhur prokuroria. Ne jemi të angazhuar për të dalë e vërteta. Sot ia çova prokurorit edhe kallëzimin penal. Mirë do të ishte, i kërkova që ky akt, kallëzimi penal i bërë nga ne duhet të hetohet. Kemi paraqitur edhe disa prova të tjera për sinergjinë që ekziston mes policisë dhe prokurorisë. Ajo që kemi kërkuar ne në kallëzimin tonë penal duhet të hetohej një orë e më parë. Është detyra jonë të respektojmë ligjin dhe të kontribuojmë për të dalë e vërteta. Sot akti që ka bërë prokurori është i pavlefshëm, e pranoi edhe vetë.
Dy duar për një kokë. Sot shqiptarët duhet të marrin fatin e tyre në dorë, për të shpëtuar familjen dhe vendin”, deklaroi ish-deputeti Alibeaj.
Ndërkohë, një ditë më parë në një konferencë për mediat, 6 ish-deputetët denoncuan pengimin me dhunë nga policia të ushtrimit të detyrës së tyre kushtetuese për të marrë informacion për ndalimet e paligjshme pas protestës së 16 shkurtit.
PD e akuzoi policinë se ka manipuluar pamjet e datës 16 shkurt kur ish-deputetët u futën në komisariat për t’u informuar mbi gjendjen e të ndaluarve pas protestës. Madje, theksuan se në komisariat janë vënë përballë agresionit të disa funksionarëve të lartë të policisë të dehur nga alkooli.

Alkooli i konsumuar në krye të detyrës nga drejtuesit e policisë natën e 16 shkurtit (Foto e PD-së)

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë