Politike

Dhuna në Komisariat, 6 ish-deputetët: Drejtuesit e policisë të dehur

Gjashtë ish-deputetët e Partisë Demokratike, të cilët janë proceduar penalisht nga Prokuroria e Tiranës për protestën e 16 shkurtit, në një konferencë për mediat kanë sqaruar të vërtetën e përplasjeve mes tyre dhe policëve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Ish-deputetët i kanë përgënjeshtruar akuzat e bëra dhe kanë theksuar se janë dhunuar.
Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh se policia i ka penguar në të drejtën e tyre kushtetuese për të marrë informacion.
Alibeaj tha se Drejtori i Policisë së Shtetit ka agresuar kolegun e tij, Gent Stazimirin. Pra sipas tij janë vënë përballë agresionit të disa funksionarëve të lartë të policisë të dehur nga alkooli.
Ish-deputetët kanë publikuar edhe videon, që sipas tyre tregon shkaktarin e përplasjeve tek ambientet e drejtorisë.


“Është përdorur dhunë dhe janë shoqëruar mbi 50 qytetarë. Një grup deputetësh shkuan te Drejtoria e Tiranës sipas detyrimeve që kanë për të marrë informacion. Të penguar nga funksionarët e policisë, u pengua e drejta jonë për të marrë informacion dhe pse jo për të ndaluar edhe valën e terrorit të shoqërimeve dhe arrestimeve të bëra më 16 shkurt.
Ne shkuam të gjithë së bashku në zyrën e drejtorit të Policisë. Për çudinë tonë drejtori i Përgjithshëm, nëndrejtori i Përgjithshëm, prokurori i çështjes ishin të impenjuar jo me detyrat e tyre, por të mbytur nga avujt e alkoolit. Në zyrat e shtetit u vumë përballë agresionit të disa funksionarëve të lartë të policisë të dehur nga alkooli. Pamjet tregojnë se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë agreson deputetin Strazimiri për t’i marrë telefonin me të cilin po filmonte”, u shpreh Alibeaj.


Ai shtoi më tej se “kemi depozituar në prokurori kallëzim penal ndaj çdo personi që na ka penguar të kryejmë detyrat kushtetuese, por prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim për këtë kallëzim”.
Edhe ish-deputeti Flamur Noka ka theksuar se ishin në kryerjen e funksioneve kushtetuese dhe se nuk mund të dhunohen deputetët që kanë imunitet.
“Policët kanë dhunuar fizikisht deputetët që kanë imunitet. Ne thjesht kërkonim informacion për protestuesit e arrestuar. Video që ka nxjerrë policia është manipuluar”, është shprehur ish-deputeti Noka.
Edhe ish-deputeti Gent Strazimiri ka theksuar se “punonjësi i policisë duhet të jepte informacion dhe jo të dhunonte”.
Lidhur me ngjarjen që ka ndodhur pas protestës së 16 shkurtit të opozitës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë thotë se ka kryer hetime duke ngritur akuzë “për veprën penale të Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik, kryer në përdorim të dhunës dhe në bashkëpunim”, sipas nenit 236/2 të Kodit Penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë