Krahasimi i Shqipërisë me Gjermaninë duket si një sindromë e pandashme e kryeministrave shqiptarë, si të majtë ashtu dhe të djathtë. Në kohën kur ikja e mjekëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së është rritur frikshëm, kryeministri Edi Rama deklaron se qeveria po paguan mjekët që punojnë në zonat e largëta më mirë dhe më shumë se sa ato në Gjermani.
“Sot ka 112 vende vakante për mjekë të përgjithshëm dhe për specialistë dhe 79 vende të lira për mjekë nëpër spitale. Të gjithë mund të aplikojnë dhe mbi bazën e rankimit do punësohen. Shumë e thjeshtë. Informimi është në kohë reale, procedurat për aplikim janë të shkurtuara dhe të shpejta dhe nuk ka më shans që dikush të të parakalojë nëse ti e meriton më shumë se ai, ose se ajo. Nga janari i 2018-s kemi punësuar 480 mjekë, nga të cilët 235 janë specialistë në spitale. Po ndodh faktikisht ajo që u kthye në një problem të madh. Mungesa e specialistëve në spitale, sidomos jashtë Tiranës, për shkak se ju e dini mirë, u mbyllën kurset e specializimit për 4 vjet dhe u deshën 4 vjet që të dilte grupi i parë dhe pas atij bllokimi dhe bllokimit për këtë shkak të shumë shërbimeve të specializuara ka filluar është rikthyer numri i shërbimeve të munguara në spitalet rajonale dhe bashkiake. Ka një bonus mbi rrogën dhe nuk është pak, është 2.5 milionë lekë të vjetra mbi pagën, në muaj, për mjekët specialistë që pranojnë të shkojnë në një spital jashtë Tiranës dhe faktikisht marrin një rrogë, që po të heqim taksat që do të paguanin po të ishin në Gjermani, është më e madhe se në Gjermani, gjithmonë në rast se do punësoheshin sa të arrijnë në Gjermani në spital. Në xhep ju mbetet më shumë në muaj sesa do ju mbetej në Gjermani dhe faktikisht dhe po funksionon”, deklaroi Rama në këtë takim.

Kjo deklaratë e çuditshme u lëshua pikërisht në prezantimin e portalit “Mjekë për Shqipërinë”, që parashikon punësim online të bluzave të bardha, në një kohë që Shqipëria po jep alarmin për largimin e mjekëve dhe infermierëve në mënyrë masive drejt Gjermanisë, për një pagë më të mirë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, paga mesatare mujore bruto në sektorin e shëndetësisë ishte 54,058 lekë në vitin 2018. Paga mesatare mujore bruto në sektorë të tjerë shtetërorë gjatë vitit të kaluar ishte 61,023 lekë. Përllogaritjet tregojnë se paga mesatare në sektorin e shëndetësisë në vitin 2018 ishte 12.8% më e ulët se në sektorin publik. Nga prilli i këtij viti ka nisur rritja e pagave me 7% të 18,416 punonjësve të shëndetësisë, nga e cila do të përfitojnë 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë, me një buxhet mbi 1 mld lekë. Ndërkohë është dyfishuar masa e bonusit për mjekët specialistë që japin shërbim në spitalet rajonale. Por këto politika tregojnë se pagat e mjekëve në Shqipëri nuk janë as sa ato shtetit më të ri të Ballkanit, Kosovës. Sipas raporteve një mjek specialist në Kosovë merr 2.5 herë më shumë se një mjek nga Shqipëria dhe kjo po shihet edhe si tendencë që mjekët shqiptarë të shkojnë të punojnë atje. Në vit mendohet se largohet 150 mjekë, por shifra mund të ketë shkuar mbi 500.
Sipas një ankete që u zhvillua vitin e kaluar me financimet e Institutit Friedrich Ebert, rreth 78% e mjekëve shqiptarë dëshirojnë të emigrojnë drejt Gjermanisë për të ushtruar profesionin e tyre.
Në këtë anketë të dy viteve më parë, 30% e mjekëve kishin dëshirë të largoheshin për të punuar jashtë dhe kryesisht në Gjermani, jo vetëm për pagë të lartë, por edhe për kushte më të mira dhe një ambient më të ngrohtë në punë.

Kur Berisha deklaronte për rritjen e ekonomike
Deklarata befasuese e kryeministrit socialist Edi Rama i ngjan asaj që do të bënte kundërshtari i tij politik, Sali Berisha 6 apo 7 vite më parë ku do të theksonte me forcë se Shqipëria për sa i përket rritjes ekonomike është pas Gjermanisë, duke ia kaluar edhe shteteve të tjera të BE-së.
Duke iu referuar një studimi të një organizate, Berisha do të deklaronte se Shqipëria e Gjermania janë dy vendet me ekonominë më të qëndrueshme në Europë. Berisha tha se vetëm ata që kanë vendosur syze të zeza nuk e shohin këtë realitet të shndritshëm. Ndërsa këto qëndrime do të shërbenin edhe si reagime dhe batuta mes kryeministrit të atëhershëm të liderit të opozitës. Edhe në një takim me biznesin në Gjermani, Berisha në vitin 2008 do të deklaronte se në katër vite rritja ekonomike ishte në 18%

Për deklaratat e kryeministrit Berisha do të reagonte menjëherë Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në rrjetin social “Twitter”, Rama do të shkruante se “kryeministri flet në mes të Gjermanisë për 18% rritje ekonomike e për një model suksesi imagjinar që e bën Shqipërinë të duket si s’ka më keq nëpër botë! Kryeministri vijon ta bëjë qesharak vendin tonë duke eksportuar jashtë fjalimet e tij groteske për ekonominë. Turp i pamerituar për Shqipërinë”. Opozita socialiste do ta përdorte këtë deklaratë të Berishës si një kalë beteje, duke mos harruar ta përdorte sa herë që në Parlament diskutohej buxheti i shtetit apo për reformat ekonomike.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




