Politike

Kriza politike s’pengon raportin: Të hapen negociatat. Opozita t’u rikthehet institucioneve

Nuk ka asnjë surprizë. Komisioni Europian rekomandoi edhe njëherë hapjen e negociatave të anëtarësimit si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn deklaroi në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian se që të dyja vendet kanë bërë një përparim të qenësishëm në kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian.

Për Shqipërinë, Hahn vlerësoi sidomos reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut.

“Shqipëria po vazhdon me reformat, ku vlen për t’u përmendur progresi i bërë me reformën në drejtësi dhe sidomos me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Hahn.

Megjithatë, si shembull për të gjithë vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor, Johannes Hahn propozoi që të merrej Maqedonia e Veriut, pas zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë. Hahn theksoi se kërkesat e BE-së për reformat në forcimin e shtetit ligjor, zgjidhja e konflikteve bilaterale për të mos i importuar ato në union dhe reformat ekonomike mbeten të panegociueshme për Brukselin.

Megjithatë, Komisioneri vuri në dukje se angazhimi i BE-së si partneri kryesor ekonomik dhe tregtar me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor rrezikohet nga Kina. “Ka një rritje të investimeve kineze në rajon dhe këto investime ndërmerren pa u kushtëzuar me shtetin ligjor, të drejtat e njeriut apo nivelin e demokracisë në vendin përkatës”, tha ai.

Ndërkohë në konferencën e përbashkët me Johannes Hahn, Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë progrese lidhur me reformat e ndërmarra. Për vendin tone ajo veçoi reformën në drejtësi dhe tha se ka arritur rezultate mbresëlënëse.

“Është bërë punë madhore për të vlerësuar ecurinë për të arritur në këto raporte. Ne kemi qenë dëshmitarë të arritjeve dhe suksese që janë mbresëlënëse dhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë treguar rezultate për reformat. Zbatim mbresëlënës i reformës në drejtësi, që ka sjellë rezultate të prekshme. Kam qenë së fundi në Tiranë për Samitin. Në bazë të një vlerësimi të rreptë dhe objektiv këtë vit për herë të dytë komisioni rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ato kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe tashmë është radha e BE-së të bëjë punën e saj. Topi ynë tani do të kalojë në Këshillin e Evropës. BE të njohë ato merita aty ku ato ekzistojnë. Kur ne vlerësojmë meritat në mënyrë objektive, ato duhen njohur. Në të kundërt do të dëmtohet besueshmëria e BE-së, do të minohet stabiliteti dhe do të shkurajonim reformat e mëtejshme, ndoshta sjellin edhe një moment zhgënjimi në këto vende të rajonit, por edhe në BE dhe tek BE si institucion”, tha shefja e politikës së jashtme, Mogherini.

Gjetjet kryesore të Komisionit, kriza politike nuk ndikon në rekomandimin pozitiv

Pas përfundimit të raportimit të Johannes Hahn para kolegëve të tij në Parlamentin Europian, në faqen zyrtare Komisioni publikoi gjetjet kryesore të vëzhgimit njëvjeçar të progresit të vendit tonë. Në të pasqyrohet edhe kriza e thellë politike e muajve të fundit në Tiranë.

“Polarizimi i thellë politik vazhdoi. Puna e Parlamentit u dobësua nga bojkotet e tejzgjatura të partive opozitare, të cilat së fundmi hoqën dorë në bllok nga mandatet e tyre parlamentare. Më shumë se gjysma e këtyre mandateve janë zëvendësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kuorumi për funksionimin e plotë të Kuvendit është ruajtur. Partitë kryesore të opozitës vendosën që të mos regjistrohen për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 30 qershor. Aksioni opozitar ka ndikuar negativisht në përpjekjet për një reformë zgjedhore konsensale, pavarësisht thirrjeve të mazhorancës. Opozita duhet të punojë konstruktivisht brenda institucioneve demokratike”, thotë raporti në pjesën e vlerësimit të kriterit politik.

Reforma zgjedhore mbetet një prej kushteve për të vazhduar më tej në rrugën e integrimit, por jo e vetmja. Komisioni ndalet edhe tek reforma në administratë. Edhe në këtë sektor, raporti gjen progres, megjithëse thekson se kërkohet më shumë angazhim.

“Ka progres për rritjen e efektivitetit dhe transparencës së shërbimeve publike dhe procedurat e reja të punësimeve në administratë janë më të qarta. Konsolidimi i këtyre arritjeve duhet të vazhdojë më tej për të garantuar një administratë më efikase, të depolitizuar dhe profesionale”, shkruhet në raport.

Sa i takon sistemit të drejtësisë, Komisioni thekson ngritjen e organeve të reja të parashikuara nga reforma në drejtësi dhe procesin e vettingut. “Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka vazhduar me qëndrueshmëri duke prodhuar rezultate konkrete. Më shumë se 140 emra janë kaluar në rivlerësim nën monitorimin e ONM, ku 88 kanë rezultuar me dorëheqje, ose shkarkime dhe 53 janë konfirmuar”, thekson raporti.

KE përshëndet ndryshimet në ligjin për tenderat, që heq ofertat e pakërkuara, por thekson se më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsion elitar janë të nevojshme. “Ngritja e një task-force antikorrupsion ka rritur hetimet administrative proaktive. Aksesi i drejtpërdrejtë i prokurorëve dhe policisë tek dosjet problematike dhe të dyshuara korruptive u rrit”, theksohet aty.

Ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit vlerësohet si jetik. “Sapo këto struktura të jenë funksionale, do të forcohet kapaciteti për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsioni. Megjithatë, në përgjithësi korrupsioni mbetet shqetësues në shumë fusha”, thekson raporti.

Sa i takon luftës kundër krimit të organizuar, Komisioni Europian vëren se disa përpjekje dhe operacione për të çmontuar grupe kriminale të fuqishme që veprojnë në fushën e trafikut të lëndëve narkotike dhe veprimtarive të tjera antiligjore.

“Këto operacione kanë çuar në prangosjen e disa emrave të njohur të botës së krimit. Gjithashtu është përshkallëzuar bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese, sidomos me struktura të vendeve të Bashkimit Europian”, thotë raporti.

Komisioni thotë se në dy vitet e fundit, mbikëqyrja nga ajri e Guardia di Finanzia, financuar pjesërisht edhe nga Bashkimi Europian tregon se kultivimi i hashashit në Shqipëri është minimal. “Kjo tregon progres të qëndrueshëm në plotësimin e kritereve të vendosura, ndërkohë që përpjekjet, sidomos kundër pastrimit të parave të pista dhe konfiskimit të pasurive të krimit duhet të vazhdojnë”, vëren raporti.

Në kriterin ekonomik, Komisioni thotë se Shqipëria ka një kapacitet shumë të ulët konkurrues dhe prodhues edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit, ndërsa thekson se arsimimi dhe inovacioni mbeten ende një sfidë, megjithë përpjekjet e qeverisë.

Në lidhje me përafrimin e legjislacionit të vendit me atë të Bashkimit Europian, Komisioni njeh përpjekjet e vazhdueshme në këtë drejtim, por thotë se progresi mbetet sërish i vakët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë