Sport

MotoGP zhvendoset në Teksas, aty ku “mbretëron” Marc Marquez

Ndalesa e tretë e Botërorit të MotoGP-së së këtij viti është në SHBA, në pistën e Austinit në Teksas, që mund të quhet fare mirë “toka e preferuar” e Marc Marquezit.

Kampioni në fuqi i botës është dominuesi absolut i këtij Çmimi të Madh, duke qenë se prej vitit 2013, kur Marquez u bë pjesë e klasit mbretëror, kjo garë nuk ka parë fitues tjetër përveçse pilotin spanjoll të Hondës.

Në 5 edicione të kësaj gare, Marc Marquez ka 5 “pole position”, të shoqëruara me 5 triumfe në gara, gjë që tregon se 25-vjeçari ndihet shumë komod në Austin. Por nuk është vetëm Teksasi, vendi ku Marc Marquez ka bërë paraqitje të shkëlqyera.

Në të vërtetë, mund të themi se toka amerikane e garave të motorëve i përket atij, duke qenë se në garat e zhvilluara në Indianapolis dhe Laguna Seca, efektiviteti i tij ka qenë 100%: pra, të gjitha garat të fituara.

“Austin është një pistë shumë e mirë, ku kam kujtime shumë të bukura, – tha Marquez. – Është vendi ku kam arritur ‘pole position’-in dhe fitoren time të parë në MotoGP, e që nga ai moment jemi bërë gjithnjë e më të fortë. Është vendi i duhur për të marrë një rezultat pozitiv”.

Në dy garat e para, Marquez ka mundur të renditet i dyti në Çmimin e Madh të Katarit, ndërsa ndalesa e Argjentinës ishte krejtësisht për t’u harruar për 6 herë kampionin e botës, ku ndër të tjera u shfaq më shumë agresiv sa duhej, gjë që u pa edhe në duelet me Espargaro e sidomos me Valentino Rossin.

Aktualisht, Marquez ndodhet në vendin e 5-të në renditjen për pilotë, me 18 pikë më pak sesa kryesuesi, britaniku Cal Crutchlow.

Si.

What’s the best generics


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë