Politike

Kriza politike, delegacioni i Kongresit Amerikan zbarkon në Tiranë

Një delegacion i Kongresit Amerikan dhe Këshillit të Atlantikut kanë vizituar Shqipërinë. Takimin e parë delegacioni amerikan e ka zhvilluar në Presidencë me kreun e shtetit, Ilir Meta. Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të stafeve drejtuese të Senatit e Kongresit Amerikan, si dhe të Këshillit të Atlantikut me qendër në Uashington DC, të kryesuar nga z.Damon Wilson.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, kreu i shtetit thotë se me delegacionin e SHBA-së në Tiranë ka diskutuar mbi tema aktuale, zgjidhjen sa më shpejt të krizës politike dhe rolin që ka Shqipëria në rajon dhe më gjerë si faktor stabiliteti.

“Zhvillimet e brendshme politike, zgjidhja sa më e shpejtë e krizës aktuale dhe nevoja për reflektim të menjëhershëm, zbatimi e implementimi i reformës në drejtësi mbështetur në shinat kushtetuese, hedhja e hapave të nevojshme drejt integrimit në BE dhe roli i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon si faktor kyç për stabilitetin, ishin temat kryesore të diskutimit”, njofton presidenca.

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, e priti delegacionin e Kongresit Amerikan dhe të Këshillit Atlantik në Kryesinë e Kuvendit.
Nga njoftimi për mediat mësohet se gjatë takimit, kryetari Ruçi vuri në dukje rolin përcaktues të SHBA në momentet vendimtare të kombit shqiptar, duke filluar nga mbrojtja e tërësisë territoriale pas shpalljes së pavarësisë, koalicioni antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbështetja gjatë tranzicionit, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, anëtarësimi në NATO si edhe mbështetja për reformat dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë.

“Shpreh mirënjohjen për mbështetjen nga SHBA të reformave integruese, sidomos reformës në drejtësi, e cila është e pakthyeshme dhe e papengueshme”, ka vënë në dukje kryetari i Kuvendit.

Ai shprehu vlerësimet më të larta për kontributin e ambasadës dhe posaçërisht të ambasadorëve të ShBA-së në Shqipëri për forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik midis dy vendeve. Delegacioni amerikan shprehu vlerësimet më të larta për rolin konstruktiv të Shqipërisë në zhvillimet rajonale, për zhvillimin, paqen, sigurinë e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, bashkëbisedoi me anëtarët e delegacionit edhe për situatën politike në Shqipëri, ecurinë e reformave si edhe për kujdesin që duhet të tregohet për të ruajtur kursin euro-atlantik, si alternativa e vetme e zhvillimit, paqes dhe stabilitetit të rajonit.



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë