Politike

Zgjedhjet, Raporti: Katër bashki po përdorin fondet për fushatë

Shoqata për Kulturë Demokratike ka prezantuar raportin e parë për përdorimin e fondeve të fushatës elektorale. Sipas raportit të nxjerrë rezulton se janë katër bashki Elbasan, Kavajë, Kukës dhe Kuçovë që abuzojnë me fondet duke i përdorur për fushatë, si dhe duke përdorur administratën.
Raporti mbulon punën e kryer nga 4 vëzhguesit afatgjatë në Bashkitë e Elbasanit, Kavajës, Kuçovës dhe Kukësit të angazhuar nga Shoqata për Kulturë Demokratike nga data 5 Janar – 25 Maj 2019. Drejtoresha ekzekutive e SHKD-së, Gerta Meta theksoi se administratës i është kërkuar pjesëmarrja aktive në aktivitete. “Në procesin e mbledhjes së informacionit në lidhje me keqpërdorimin e burimeve administrative në periudhën parazgjedhore, vëzhguesit e SHKD-së, kanë zhvilluar takime me bashkëbisedues të ndryshëm të cilët marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit”-u shpreh Meta.
Në këtë periudhë raportimi, ka pasur raste ku punonjës të administratës publike u është kërkuar për të marrë pjesë në aktivitete elektorale të partive politike dhe kandidatëve. Janë raportuar disa raste të detyrimit të punonjësve të administratës publike në Bashkitë e Kavajës, Kukësit dhe Elbasanit për të marrë pjesë në aktivitete partiake dhe elektorale.
Një aspekt tjetër është përdorimi i inaugurimeve të punëve të rëndësishme publike nga zyrtarë publik dhe anëtarë të qeverisë. Raste të tilla janë vënë re në rrethin e Elbasanit, Kavajës dhe Kukësit.
Bashkia Kavajë nuk ka publikuar asnjë vendim të këshillit bashkiak në faqen zyrtare Vendime.al dhe nuk i ka mundësuar asnjë informacion vëzhguesit të SHKD-së lidhur me vendimet e marra nga këshilli bashkiak.
“Bashkia e Kavajës në muajin mars ka miratur dhënien e një shumë simbolike prej 5000 lekësh në muaj për fëmijët në nevojë dhe kujdestarët të tyre. Zv. Kryetari i Bashkisë Kavajë, Dorjan Gjuzi dhe Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimeve Sociale, Arta Arkaxhiu, tashmë të dy persona të shkarkuar nga pozicionet e tyre të punës, kishin regjistruar familjarët e tyre në skemat mbështetëse ekonomike. Tjetër rast po në Bashkinë e Kavajës është kallëzimi që IKMT ka bërë për kryetarin e Bashkisë së Kavajës dhe disa nga vartësit e tij ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar ndërtimin e objekteve në territorin që administrojnë”, thuhet në këtë raport.
Raporti sugjeron të merren masa për mbrojtjen ligjore për punonjësit e administrates publike, me qëllim për të penguar përdorimin apo angazhimin e tyre në fushatë zgjedhore. Autoritetet përkatëse – sipas raportit – duhet të konsiderojnë marrjen e masave për të siguruar që nuk ushtrohet presion mbi punonjësit e administratës publike, si dhe personave të tjerë për të marrë pjesë në fushatën e partive politike apo kandidatëve. Abuzimi me burimet administrative për qëllime të fushatës zgjedhore, sipas SHKD-së, duhet të ndalohet nëpërmjet zbatimit të ligjit dhe vënies përpara përgjegjësisë të personave që e shkelin atë.
“Task-Forca duhet të krijohet më përpara nisjes së fushatës zyrtare dhe të ndjekë të gjitha shkeljet jo vetëm gjatë nisjes së fushatës zyrtare, por edhe më përpara duke ditur se partitë politike e nisin fushatën disa muaj para datës së zgjedhjeve. Kryetarët aktualë në Bashkitë se Kavajës dhe Kukësit gjatë periudhës së fushatës zyrtare të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit duhet të mos shpërdorojnë detyrën ose të abuzojnë me fondet publike. Bazuar ne Kodin zgjedhor të gjithë kandidatët për kryetar Bashkie, si subjekte të zgjedhura duhet të hapin një llogari të posaçme bankare për fushatën për donacionet mbi 100.000 lekë. Të gjithë kandidatët për kryetar Bashkie duhet të regjistrojnë shpenzimet e fushatës duke përdorur formatin TIP të KQZ dhe të dërgojnë formularin e plotësuar në zyren qendrore të subjektit zgjedhor, brenda 30 ditëve nga data e zgjedhjeve”, thuhet në rekomandimet e këtij raporti të ndërmjetëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë