Lajme

Partizani në delirin e festës së titullit, Tirana në ethet e mbijetesës

Partizani dhe Tirana do ta përjetojnë në mënyra të ndryshme javën e parafundit të Superiores, krejtësisht të kundërta. Të kuqtë janë shpallur kampionë të Shqipërisë pak javë më parë dhe sot, më shumë se te ndeshja me Kukësin rival, e kanë mendjen te festa e madhe, që pritet të pushtojë kryeqytetin në orën e pasdites. Tirana, ashtu si dy vjet më parë, është nën ethet e fuqishme të rënies nga Superiorja. Nëse përsëritet historia, klubi me më shumë tituj në vend do ta çonte në fund prestigjin e tij.

Drejtuesit e Partizanit, gjatë ditëve të fundit kanë punuar shumë për festën madhështore që duan të organizojnë për rikthimin te titulli kampion pas 26 vitesh. Pas ndeshjes me Kukësin, ku rezultati ka rëndësi vetëm për kuksianët, që kërkojnë të “blindojnë” vendin e dytë, Partizani dhe tifozët e tij do të lënë stadiumin “Selman Stëermasi” për të shkuar në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të bëhet festa e madhe, me shumë surpriza. Plot 12 këngëtarë janë ftuar nga klubi kryeqytetas për këtë festë, që në kampin e kuq pritet prej shumë e shumë vitesh.

Nga një ndeshje mes Tiranës dhe Laçit këtë sezon

E kundërta është situata te Tirana, që javët e fundit e ka komplikuar shumë situatën në renditje. Kastrioti është afruar 2 pikë dhe skuadrës së trajnerit Ardian Mema i duhet me çdo kusht të mos humbë në Laç. Problemi është se Laçi lufton për një vend në Ligën e Europës dhe do të kërkojë me ngulm fitoren. Nëse Tirana humb dhe Kastrioti rival mund Teutën në ndeshjen tjetër, skuadra kryeqytetase është me një këmbë në Kategorinë e Parë. Por edhe krutanët nuk e kanë të lehtë, sepse durrsakët duhet të ruajnë vendin e tretë. Kjo javë vendos shumë në lidhje me skuadrën që bie nga kategoria, edhe pse jo matematikisht. Tiranës i duhet patjetër ta mbajë prapa Kastriotin në renditje dhe mund ta bëjë këtë gjë edhe më një barazim në Laç, pasi ka golaverazh më të mirë. Bardheblutë gabuan në ndeshjen direkt me krutanët dhe nuk u falet një gabim i dytë, por gjithçka do ta tregojë fusha.

Në garë për Europën është edhe Skënderbeu, që pret Luftëtarin në një ndeshje pa interes për gjirokastritët, të cilët e kanë siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Korçarët, me shumë mungesa në këtë ndeshje, duhet të marrin 3 pikët për ta mbyllur kampionatin në vend të katërt dhe për të shpresuar që Kupën e Shqipërisë ta fitojë Kukësi. Flamurtari është pushim këtë javë dhe pas fitores në tavolinë me Kamzën, ka barazuar Teutën e vendit të tretë në kuotën e 54 pikëve. Java e 35-të e Superiores vendos shumë për objektivat sezonalë të disa skuadrave.

Renditja e Superiores para javës së 35-të


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë