Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka firmosur sot udhëzimin për zbatimin e ligjit “Për Sigurinë në Burgje” dhe ka ngarkuar me kontrollin e zbatimit të tij, drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela, e cila do ta kryejë këtë detyrë deri në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Ky udhëzim mundëson zbatimin e ndryshimeve të ligjit nr.9888, datë 10.3.2008 “Për Trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, në lidhje me aplikimin prej SPAK të vendosjes së të dënuarve me rrezikshmëri të lartë, në seksion me Regjim të Posaçëm”, bëhet me dije në njoftimin për mediat.
Udhëzimi i firmosur për zbatimin e kufizimeve në burgje për të dënuarit me rrezikshmëri të lartë bëhet për ata të dënuar që dyshohet se kanë kryer aktivitet kriminal edhe brenda qelive të burgut.
Çfarë është “41 BIS”? Regjimi i posaçëm “41 Bis”, i aplikuar fillimisht në Itali në vitet ‘92, do të aplikohet për herë të parë në Shqipëri për 270 të burgosur. Ky sistem iu ndalon të dënuarve çdo formë komunikimi me botën e jashtme, ndërsa takimet me familjarët do të jenë të monitoruara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.