Politike

Misioni i pamundur i Glover, vëzhgim zgjedhjesh pa opozitën dhe historia e majit ‘96

Pavarësisht krizës politike dhe faktit nëse do të mbahen zgjedhjet më 30 qershor, misioni i OSBE-së dhe ODIHIR-it ka mbërritur në Shqipëri, duke sjellë si kryevëzhguese të procesit një emër jo të panjohur për klasën politike shqiptare, ambasadorja Audrey Glover.
Për zgjedhjet e 30 qershorit, misioni ndërkombëtar do të ketë një skuadër prej 13 ekspertësh, 18 vëzhgues afatgjatë, që do të shpërndahen në të gjithë vendin. Ndërsa për ditën e zgjedhjeve, mendohet të jenë 250 vëzhgues ndërkombëtar afatshkurtër. Drejtuesja e misioni Glover doli sot përpara medias për të dhënë qëllimet e këtij misioni disi të çuditshëm, pasi këto votime mund të zhvillohen për herë të parë pa pjesëmarrjen e opozitësm e cila duhet të vlerësojë nëse arrihen standardet ose jo.
“Në fakt jo, nuk më ndodhur ndonjëherë të vëzhgoj zgjedhje në ndonjë vend ku opozita nuk ka marrë pjesë në zgjedhje”, shprehet Glover për mediat, që shihet edhe si një eksperiencë e re për ekspertët e monitorimit të proceseve zgjedhore.

Ambasadorja Glover në konferencën e sotme


Në këtë konferencë për shtyp, ku i pranishëm ishte edhe kryekomisioneri Klement Zguri, britanikja Glover do të shprehej se “ne jemi këtu për të mos ndërhyrë në asnjë lloj mënyrë, ne nuk jemi policia zgjedhore dhe as mbikëqyrësit e zgjedhjeve. As nuk jemi politikanë, ne jemi thjeshtë profesionistë të zgjedhjeve”.
Pavarësisht mungesës së opozitës, ODIHR, sipas saj, misioni do të ndjekë procesin, do të raportojë mbi procesin, vetëm për fotografimin e situatës para dhe paszgjedhore, duke nxjerrë një raport paraprak një ditë pas zgjedhjeve, ndërsa pas dy muajsh do të nxjerrin një raport final mbi përfundimet e procesit.
Ndërsa ndryshe nga herët e tjera Misioni i OSBE/ ODIHR nuk do të mbajë një raport paraprak përpara datës së zgjedhjeve, por vetëm pas procesit zgjedhor.
Gjithashtu ambasadorja tha se vëzhguesit e OSBE/ODIHR do të jenë në terren dhe do të vështrojnë çdo veprim në qendrat e votimit dhe se ky proces, shtoi ajo, do të jetë nën vëzhgim të rreptë dhe gjithçka do të dokumentohet, duke i vlerësuar nëse ato janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Glover shmangu komentet në lidhje me vendimin më të fundit të KQZ-së ku ia hoqi të drejtën PD dhe LSI që të kishin komisionerë në KZAZ, duke theksuar se qëndrimi i tyre do të jetë në tërësi për të gjithë procesin. Ndërsa theksoi se pjesë e vëzhgimit do të jetë mënyra e presioneve apo shitblerjes së votave.
“Si në çdo zgjedhje vëzhguesit tonë do të shohin shitblerjen e votave apo dhe intimidimin e votuesve, ne do të jemi aty dhe do t’i mbajmë sytë hapur. Në të njëjtën kohë zhvillohen edhe disa zgjedhje të tjera nëpër botë, por nëse do të ishin më shumë numri i tyre do të ishte më mirë”, thekson Glover.
Ndërsa sa i përket idesë për shtyrjen e datës së zgjedhje, ambasadorja theksoi se nuk është detyra e tyre që të ndërhyjë duke bërë sugjerime të tilla. “Unë theksova dhe po e theksoj se ne jemi këtu për të vëzhguar zgjedhjet në mënyrë të paanshme, nuk na takon ne të prononcohemi apo të japim sugjerime të tillë, kjo do të ishte ndërhyrje në fakt për të gjithë procesin”, theksoi kryemonitoruesja e OSBE/ODIHR.


Zgjedhjet 26 majit ’96 dhe eksperienca e Glover
Audrey Glover nuk është emër i panjohur për politikën shqiptare. Për herë të parë ajo do të shfaqej si shefja e misionit të ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996. Pikërisht 23 vite më parë, misioni i ODIHR do të mbeste në klasë zgjedhjet, ku opozita socialiste e asaj kohe, do të ndërmerrte vendimin për të tërhequr komisionerët e saj nga Qendrat e Votimit, duke deklaruar se procesi po manipulohej nga qeveria e djathtë e drejtuar ku Sali Berisha ishte president.
Të martën më 28 Maj, Misioni Vëzhgues i OSBE-ODIHR-it do të shpallte raportin paraprak. Pikërisht në këtë orë, politikanët e opozitës organizuar një manifestim demonstrues për të shpallur qëndrimin e tyre se vota ishte manipuluar. Raporti final i vëzhguesve të ODIHR ishte dërrmues: “Zgjedhjet janë kompromentuar, nuk ka pasur asnjë rregull zgjedhor që nuk është shkelur”. Ekipi vëzhgues ndërkombëtar, deklaroi se vëzhguan 300 qendra votimi në 115 zonat elektorale. Konkluzioni i vëzhguesve ishte më shumë se i ashpër: gjatë dy ditëve të votimit 26 maj-2 qershor në zgjedhje ishin shkelur 32 nga 79 nenet e ligjit zgjedhor.

Protestuesit e opozitës duke u përplasur me policinë dhe SHIK më 28 maj 1996


Por a gjen ndonjë paralelizëm me situatën aktuale, Glover pas 23 vitesh, ku opozita shqiptare ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa komisionerët e saj nuk janë pranuar që të jenë pjesë e procesit zgjedhor.
“Vitit 1996 është goxha një kohë përpara, kam frikë se nuk e mbaj mend saktësisht situatën në atë kohë. Gjithsesi çdo zgjedhje është e ndryshme dhe brenda të njëjtit vend është shumë e vështirë të krahasosh dy zgjedhje për shumë arsye situata, politike dhe kështu me radhë. Unë them vetë le të vëzhgojmë këto zgjedhje, le të përqendrohemi në këto zgjedhje dhe të mos shqetësohemi shumë për zgjedhjet e mëparshme”, thotë Glover,e cila i devijon pyetjes së bërë nga gazetarët.
Marrëdhëniet jo të mira me PD-në
Emri i ambasadores Glover do të përmendej pas vitit 1996, një dekadë më pas, pikërisht në vitin 2009. Ajo do të caktohej sërish në krye të misionit të ODIHR për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Sërish Berisha në pushtet, por kësaj herë kryeministër dhe jo president. Eksperienca e hidhur e vitit 1996, detyroi kryeministrin Sali Berisha që të kontestonte emërimin e Glover në krye të këtij misioni të dytë, madje lëvizje levat e diplomacisë për të kërkuar tërheqjen e britanikes si kryesuese se misionit. Mediat asaj kohe do të raportonin se në zgjidhjen e situarës së krijuar u përfshi edhe Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani i cili u përpoq që të negocionte personalisht.

Ish-kreu i KQZ, Arben Ristani

Në një komunikim telefonik me Zërin e Amerikës në atë kohë ai do të shprehej se qeveria e kundërshton shefen e misionit të ODIHR-it për problemet e lindura në 1996, duke theksuar. se interesi është që palët në procesin zgjedhor të kenë besim te procesi dhe kur njëra palë nuk ka besim te arbitri, ky besim mund të cenohet. Ndërsa vetë Glover e pyetur për këtë çështje do të shprehej do të bënte punën e saj sicc duhet duke shtuar se 1996 është një histori që i përket së kaluar dhe se në këto 13 vite Shqipëria ka ndryshuar shumë. “Kam dëshirë të theksoj se nuk kemi mbërritur këtu me ndonjë paragjykim apo ndonjë axhendë të fshehur. Si gjithnjë do të lemë që faktet të flasin vetë”, do të shprehej ajo.
Por Glover nuk u tërhoq nga misioni, por ndërkombëtarët gjetën një zgjidhje për të kënaqur kryeministrin Berisha, duke i shtuar OSBE/ODIHR edhe organizma të tjerë monitorimi si vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s, duke formuar kështu një Mision Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Në krye të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së u caktua miku i Berishës, Wolfgang Grossruck, si një garanci për PD-në për monitorimin e procesit.

Grossruck, Berisha dhe Basha gjatë takimi të zhvilluar në vitin 2013

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë