Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ka mbledhur sot deputetët e mazhorancës dhe opozitës dhe dy bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari për të shqyrtuar dhe miratuar kalendarin e punës për periudhën maj-nëntor 2019.
Komisioni ka rënë dakord që brenda 31 korrikut të kenë përfunduar dhe miratuar ndryshimet në kuadër të rekomandimeve bazë të OSBE/ODIHR-it.
Siç ka njoftuar Kuvendi, brenda 30 shtatorit do të përmbyllet shqyrtimi i çështjes së votës së emigrantëve dhe teknologjitë e reja në procesin e votimit.
Sipas kalendarit, deri në 31 tetor komisioni do të ketë një produkt për çështjen e financimit të partive politike.
Po ashtu është vendosur se gjithçka lidhur me reformën do të jetë mbyllur deri më 28 nëntor.
Gjithashtu, deputetët kanë rënë dakord që brenda muajit korrik të hapen konsultimet publike për çështjen e sistemit zgjedhor, nëpërmjet një tryeze gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e partive politike, partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të interesuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




