Opinion

Samiti Trump-Kim Jong-un një sukses i vërtetë. Shtrëngimi historik i duarve

Shumë korrekt në kohë presidenti Donald Trump dhe homologu i tij koreanoverior Kim Jong-un u takuan në 9 të mëngjesit të sotshëm me orën e Singaporit (3 e mëngjesit në Tiranë) në hotelin Capella në ishullin Sentosa për të hapur siparin e samitit të parë të nivelit të lartë mes dy vendeve. Mijëra shkrepje për shtrëngimin historik të duarëve, i përsëritur edhe në sallonin e vogël ku u zhvillua takimi bilateral.   

 

Përpara samitit, presidenti Donald Trump ka folur me kryeministrin japonez Shinzo Abe dhe presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in. E ka bërë me dije Shtëpia e Bardhë duke theksuar se liderët do të vazhdojnë të koordinohen mbi zhvillimet e passamitit.

 

Singapor, në çelje të samitit Trump-Kim: eskorta e pafund e presidentit Trump

 

Trump e Kim u takuan në oborrin e hotelit Capella, i shtruar me tapet të kuq dhe në sfond me flamuj të të dy vendeve: shtrëngimi historik i duarve, në takimin e parë kokë më kokë mes liderëve të dy vendeve, zgjati pak më shumë se 10 sekonda, me Trumpin që  forcoi marrëdhënien me liderin e ri duke vendosur shkurt edhe dorën e majtë mbi krahun e djathtë të Kim. Pas një shkëmbimi të drejtpërdrejtë të përshëndetjeve, dy liderët u paraqitën përballë fotografëve dhe kamerave për të ruajtur këtë kujtim historik.

 

Samiti me presidentin Kim, tha në fillim Trump, do të jetë “një sukses i jashtëzakonshëm” e “nuk kam dyshime se do të kemi përmirësime të jashtëzakonshme në marrëdhëniet bilaterale”. E menjëhershme përgjigjja e presidentit koreanoverior: “Ka pasur një sërë problemesh por “I kemi tejkaluar të gjitha dhe sot jemi këtu”.

 

Takimi kokë më kokë mes Trump e Kim mbaroi pas pak më pak se një ore e menjëherë më pas nisi pjesa e samitit të zgjeruar me delegacionet e të dy vendeve. Pranë presidentit Trump, të ulur ishin; sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, këshilltari për sigurinë kombëtare, John Bolton, dhe shefi i kabinetit, John Kelly.

 

Trump e Kim u ulën ballë për ballë njëri-tjetrit dhe klima u shfaq shumë e përzemërt. Përpara kamerave, dy liderët shtrënguan sërish duart duke i shtrirë në tryezën përgjatë së cilës pjesëmarrësit ishin ulur për samitin.

 

“Shumë njerëz në botë do mendojnë se gjithë kjo është një formë imagjinate… Një film fantashkencor”: janë fjalët e liderit koreanoverior Kim Jong-un drejtuar presidentit amerikan Donald Trump pas shtrëngimit të duarëve, sipas përkthimit të regjistruar nga Cnn e shpërndarë më pas nga gazetarët e Shtëpisë së Bardhë që ndjekin takimin.

 

Në përfundim të samitit të zgjeruar, pjesëmarrësit u ulën për një mëngjes të bollshëm dhe biseda të mëtejshme.

 

Presdienti koreanojugor Moon Jae-in, komentoi duke rrëfyer se kishte kaluar “një natë të pagjumë ” dhe u shpreh se samiti do të hapte  “një epokë të re të denuklearizimit, paqe dhe marrëdhënie të reja mes Koresë së Jugut, Koresë së Veriut dhe SHBA-ve “.

 

Pak minuta para takimit historik me liderin koreanoverior Kim Jong-un, presidenti amerikan Donald Trump shkroi në tweeter që këshilltari ekonomik i Shtëpsisë së Bardhë, Larry Kudlow, “I cili ka punuar kaq fort mbi tregtinë dhe ekonominë, sapo pësoi një atak kardiak ” dhe është shtruar në spitalin ushatarak Walter Reed në Bethesda, Maryland.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë