Politike

Aleatët e Bashës në Lezhë: Nuk lejojmë zgjedhje më 30 qershor

“Forumi për zgjedhje të lira”, i organizuar nga “Grupimi i Qendrës së Djathtë”, është ndalur në qytetin e Lezhës.
Aleatët e Partisë Demokratike, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, kreu i PDK-së Nard Ndoka, kreu i PR-së Fatmir Mediu, kreu i PBDNJ Vangjel Dule dhe kreu i PAA-së Agron Duka, zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me strukturat dhe mbështetësit e partive që drejtojnë.
“Mbas 30 vitesh tranzicion, ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme dhe të barabarta, me një ‘qeveri tranzitore’ pa Edi Ramën kryeministër”, janë shprehur krerët e partive opozitare, të cilët kanë një qëndrim të unifikuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Ramën do ta largojmë me protesta, jemi në fazën përfundimtare të aksionit politik”, është shprehur ndër të tjera Ndoka.
Ata e mbyllën takimin duke u bërë apel qytetarëve të angazhohen jo vetëm në moslejimin e zgjedhjeve farsë, por edhe në pjesëmarrjen sa më të gjerë në protestën e thirrur nga opozita e bashkuar në datën 25 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë