Politike

Thaçi takon Ramën në Tiranë, Haradinaj me Metën në Durrës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vjen në Tiranë dhe nuk takon homologun e tij Ilir Meta, por kryeministrin Edi Rama. Nderkohë brenda pak orësh edhe kryeministri I Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte në Shqipëri dhe nuk takoi homologun, por Presidentin Meta. Fotografitë që postuan në rrjetet sociale i tregojnë miqësore më njëri- tjetrin sipas aleancave që kanë krijuar dhe në llogoret ku janë reshtuar së fundmi në lidhje me çështjen e marrëveshjes dhe taksës me Serbinë, por çfarë është më e rëndësishmja, “korrigjimi” i kufijve. Edhe keto postime dhe foto tregojnë ndarjen e madhe mes Ramës dhe Haradinajt, si edhe Thaçit dhe Metës, ashtu si edhe mes Kryeministrit dhe Presidentit në Kosovë dhe mes dy krerëve të shtetit në Shqipëri, që ia japin dorën njëri-tjetrit vetëm kur takohen nga “halli” rastësisht nëpër evente.   

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar mesditën e sotme një takim me kryeministrin Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë.
Me anë të postimi në “Facebook”, presidenti Thaçi zbulon edhe fokusin e bisedës.
“Si gjithmonë, kënaqësi takimi me kryeministrin Edi Rama. Biseduam për aktualitetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si dhe për përgatitjet e Kosovës për Samitin e Parisit”, shkruan presidenti Thaçi në Facebook.
Ndërkohë mbrëmë në Durrës, presidenti Meta ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Kënaqësi e veçantë të ndaja sërish me kryeministrin Ramush Haradinaj në Durrës pikëpamje mbi sfida të përbashkëta që forcojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe perspektivën e përbashkët europiane”, shprehej Meta.

Një ditë më parë në Tiranë u zhvillua mbledhja e dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, ndërsa drejtimin e kishin marrë në dorë zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Erjon Braçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë