Dorëheqja e paraqitur më 28 shkurt 2019 nga ana e ish-Prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Petrit Fusha e vendosi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit përballë faktit të kryer. Në zbatim të Kushtetutës dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, procesi i rivlerësimit ndërpritet në momentin në momentin që një subjekt vendos dorëheqjen.
Kështu ndodhi edhe në rastin e ish-prokurorit Fusha. KPK vendosi më 4 prill të ndërpresë procesin e rivlerësimit dhe në vendimin e marrë thotë se për këtë është njoftuar edhe Prokuroria e Përgjithshme. Dorëheqja e përjashton automatikisht Petrit Fushën nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror për 15 vitet e ardhshme.
Por, hetimi administrativ ndaj tij ishte në vazhdimësi në momentin që Fusha dha dorëheqjen. Në përfundim të këtij hetimi, Komisioni i Pavarur të Kualifikimit ka rënë në gjurmë të shkeljeve të rënda.
Përmes një njoftimi të shkurtër, ky institucion thotë se ka referuar në Prokurorinë për Krimet e Rënda raportin përfundimtar të hetimit administrativ ndaj Petrit Fushës. Tashmë është në dorë të prokurorëve për Krimet e Rënda të përcaktojnë nëse materialet e referuara përbëjnë shkak për nisjen e një procesi penal ndaj ish-prokurorit apo jo.
Fusha, ish-drejtues i Prokurorisë së Tiranës paraqiti dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me arsyetimin e ngarkesës së madhe të punës.
“Pas 32 viteve pune në shërbimin e Prokurorisë, çmoj se përvojën që kam mund ta përdor në dobi të një aktiviteti tjetër me më pak ngarkesë. Koha në të cilën po jetojmë është tejngarkuar me ngjarje e fenomene të drejta e të pa drejta. Një profesionist në moshën time natyrshëm zgjedh me maturi vendin se ku mund të kontribuojë më mirë. Ndaj gjykova se Prokuroria nuk është më vendi ku unë mund të shërbej me përvojën 32-vjeçare. Një përvojë e akumuluar tashmë nga procese hetimore e gjykimi të çdo lloj çështje e niveli”, shkruan ai në aktin e dorëheqjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




