Në finale të Kupës së Shqipërisë dhe dy pikë larg zonës së rënies nga kategoria. Dikush që nuk e njeh futbollin shqiptar, do të mendonte se bëhet fjalë për një ekip poshtë nivelit mesatar, që lufton për mbijtesë zakonisht dhe që ka suprizuar në Kupë, por në fakt është Tirana, ekipi më i titulluar në vend…
Për herë të dytë brenda dy vitesh, ekipi kryeqytetas rrezikon rënien nga elita, por këtë here, ndryshe nga dy vite më pare, kur luante në Shkodër, e ka më shumë në dorë fatin e tij. Luan sot në stadiumin “Selman Stërmasi” me Kastriotin rival dhe për të shmangur një turp të dytë në histori, i duhet të fitojë. I ka të gjitha mundësitë të fitojë, edhe pse presioni së fundi është rritur në maksimum, aq sa drejtuesit e klubit nuk preferuan të shlyenin financiarisht dënimin e mbetur, në mënyrë që të kenë edhe tifozët sot në krah. Te këta të fundit është rritur edhe më shumë zemërimi dhe tashmë kanë dalë hapur kundër presidentit Refik Halili.

Tirana kërkoi arbitra të huaj për këtë ndeshje, çka tregon fare qartë panikun që e ka mbërthyer këtë skuadër, sikur të ishte ajo në rolin e “sfidantit” dhe jo Kastrioti. Humbja në derbi mund të ketë lënë pasoja, por asgjë nuk e justifikon skuadrën e trajnerit Mema në këtë moment. Në çdo mënyrë, Tirana duhet të gjejë rrugën e fitores për të shmangur një tragjedi të dytë, sepse në të kundërt rënia do të bëhej rrugë dhe ekipi më i titullar në vend do të humbte shumë nga reputacioni i tij. Vetëm fitorja largon makthet e rënies dy javë para fundit të kampionatit.
Në tri ndeshjet e tjera të javës së 34-t të Superiores, Flamurtari dhe Laçi luajnë në Vlorë një sfidë për Ligën e Europës. Teuta do ta ketë më të lehtë në Durrës, pasi pret Partizanin e shpallur kampion dhe që sot do të zbresë në fushë me lojtarë të stolit. Kukësi dhe Skënderbeu ndeshen në Kamzë, ku korçarët do të përpiqen të bëjnë kthesën pas dy humbjeve radhazi, ndërsa kuksianët mendojnë më shumë për finalen e Kupës së Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



