Politike

Rama mohon akuzat: Dosjet janë sajesa. Basha nuk i fiton dot zgjedhjet

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë artikullin e gazetës gjermane “Bild”, publikuar disa ditë më parë, ku shkruhej se dyshohej të ishte ishte pjesë e përgjimeve të dosjes “184”.

Kreu i qeverisë tha se “Bild” është një tabloid dhe se, ndonëse ka publikuar artikullin, në fakt, sipas tij, ai është shkruar nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani (një nga të intervistuarit në shkrim).

“Bild është një tabloid. Nuk kam me “Bild”-in asnjë gjë, këtë e ka shkruar Ylli Manjani dhe Çollaku, janë këta të ty që janë furnizuesit dhe autorët e këtij teksti. Ka bërë një publikim bazuar në këto burime, shqiptarët e dinë mirë se çfarë përfaqësojnë këto burime, gazetari i “Bild” ka marrë këto burime të shquara dhe unë nuk kam çfarë t’i them”, tha Rama.

Ai theksoi se nuk e kujton nëse e ka bërë një bisedë të tillë, por sqaroi se nuk do mund të merrej kurrë me pisllëqe të tilla.

“Nëse nga dhjetëra e mijëra biseda që unë bëj, ju më kërkoni diçka që unë nuk e gjej dot. Por kurrë nuk ka ndodhur që unë të merrem me këto pisllëqe të cilat kanë marrë përsipër t’i pastrojnë ata që janë shkaku kryesor i krijimit të këtij pisllëku. Unë nuk kam asnjë problem që të përballem me çdo lloj hetimi. Nuk mundet kurrë të shkëpusësh një fjali dhe të ngresh një kauzë”, – tha ai në emisionin “Opinion”.

Rama përsëriti edhe një herë se në 30 qershor do të mbahen zgjedhjet vendore sipas asaj që përcakton Kushtetuta. Ai nuk pranoi që të japë dorëheqjen për të lejuar krijimin e një qeverie tranzitore siç kërkon opozita.

“E kanë kuptuar të gjithë ndërkombëtarët, për dy gjëra, dosjet e denoncuara nga opozita janë një sajesë dhe e dyta sepse Lulzim Basha nuk fiton dot më zgjedhje, – vijoi Rama. – Kjo logjikë nuk ka lidhje me shtetin, marrëdhëiet, institucionin, publikun dhe votuesit, kjo logjikë shkon përshtat me djalin tim, që kur e mund në një lojë, kërkon anullim loje. Kjo nuk është për të ruajtur kryeministrin, posti i kryeministrit nuk është i imi, është i popullit që vendosën të më japin këtë post mua. Sot mund të ishin 70 për qind e shqiptarëve që donin që unë të ikja, por duhet të presin vitin 2021 që të iki unë. Shteti nuk funksionon me shprehjen, budallait hapi rrugë, s’kemi asnjë reagim që do përplasemi”.

Kryeministri i konsideroi sulm ndaj institucioneve goditjet me molotov të ndërtesave nga ana e protestuesve të opozitës.

Rama u shpreh se Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, është goditur vetëm tre herë dhe se kryeministri dhe ministri e kanë konsideruar moment të gabuar të policisë.

“Këtu jemi në sulm ndaj institucioneve. Dmth armë luftarake. Molotovi është armë luftarake e shpikur në luftën e Spanjës kundër tankeve. Ato janë armë që përdoren për të hedhur tanket në erë. Ky moment është një moment që ka ardhur si rezultat i një proteste që në fund të saj ka prodhuar 4 të vrarë. Dhjetëra të plagosur me armë zjarri. Nëse ju më tregoni një molotov të vetëm që i është hedhur derës së Kryeministrisë. Mos bëni krahasime. Jam shumë krenar që ka ardhur dita që sot bëhet legjendë Sahit Dollapi për tre goditje me shkop gome”, – shpjegoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë