Lajme

Refuzimi i vizës për në SHBA, Vasili publikon foton e pasaportës

Zëri i Amerikës njoftoi sot gjatë edicionit të lajmeve se sipas burimeve të saj, nënkryetarit të LSI, Petrit Vasilit i është refuzuar viza për në SHBA.

Por lajmi është mohuar nga zyrtari i LSI, me këtë të fundit që ka shpërndarë foton e vizës në pasaportë, ku siç duket, për herë të fundit ka marrë një vizë të tipit A2, tre mujore, në qershorin e vitit të kaluar, për të marrë pjesë në një vizitë në Kongresin amerikan. Sipas asaj që shihet, viza ka skaduar në shtator.

Ka qenë gazetarja e Zërit të Amerikës, e cila gjatë një interviste me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha se “sipas burime tona Petrit Vasilit i është refuzuar viza”.

Vetë Kryemadhi në përgjigjet e saj, tha se Vasili kishte shkuar vitin e shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jo nuk besoj që i është refuzuar viza zotit Vasili. Nëse ka një njeri më pa probleme është Vasili, por nuk e vë dorën në zjarr, as për fëmijët e mi, as për bashkëshortin tim. Por në çdo rast, çdo ndarje informacioni në raste të tilla me Ambasadën Amerikane dhe me LSI do të jemi të gatshëm. Por mos harrojmë se Vasili ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Donald Lu  për Reformën në Drejtësi”, tha Kryemadhi.

Kohët e fundit, nënkryetari i LSI kishte sulmuar publikisht me një gjuhë shumë të ashpër qëndrimet e ndërkombëtarëve, të cilët kanë dënuar në bllok vendimin për djegien e mandateve dhe protestat e dhunshme të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë