Lajme

Grabitën pronat në Spille, 18 vite burg për 9 ish-zyrtarë në Kavajë

Gjykata e Kavajës shpalli fajtorë nëntë zyrtarë lokalë dhe i dënoi ata me 18 vite burg për tjetërsimin e pronave në plazhin e Spillesë. Sipas vendimit të shpallur në prill nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, ish-zyrtarët e Hipotekës dhe njësive administrative në Kavajë kanë përfituar uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gjykata e Kavajës urdhëron gjithashtu që 5 parcelat e tokës objekt shqyrtimi të kalojnë në pronësinë e shtetit. Sipas hetimeve 2-vjeçare të Prokurorisë, ish-zyrtarët janë përgjegjës për falsifikimin e dokumenteve që mundësuan tjetërsimin e pronave publike në bregdet; fillimisht në emër të banorëve të zonës dhe më pas tek të afërmit e drejtuesve të pushtetit lokal, përfshirë ish-kryetarin e Bashkisë, Elvis Roshi.

Hetimi për tjetërsimin e 36 hektarëve tokë në bregdetin e Kavajës u finalizua në nëntor 2017 me arrestimin e 11 personave. Urdhër-arrest u lëshua edhe ndaj shefit lokal të Hipotekës, Seid Cikalleshi. Hetimet zbuluan skemën e tjetërsimit, e cila kishte transferuar 36 ha prona publike në bregdet përmes shit-blerjeve të dyshimta.

Ish-kryeregjistruesi i Kavajës është dënuar me 2.8 vjet burg për falsifikim dokumentesh si dhe me ndalim 2-vjeçar për ushtrimin e funksioneve publike.  Dënime të ngjashme në aplikim të gjykimit të shkurtuar morën edhe 7 të pandehurit e tjerë, ndërkohë që dënimi për Aida Gjocin është konvertuar në punë të detyruar pranë ndërmarrjes komunale të Kavajës.

DËNIMET:

1-Seid Cikalleshi, ish-kreu i ZVRPP Kavajë dënohet me 2.8 vjet burg;

2-Andi Gjeçi, jurist në ZVRPP Kavajë dënohet me 2.4 vite burgim;

3-Asim Arkaxhiu dënohet me 2 vjet burgim;

4-Aldo Kila dënohet me 1.8 vite burgim;

5-Ilir Kaja i njësisë administrative Kryevidh dënohet me 3 vjet burgim;

6-Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave dënohet me 2 vjet burgim;

7-Dritan Kazazi, ish-hartograf në ZVRPP dënohet me 2 vjet burgim;

8-Nezir Leçini, ish-shef i Kadastrës dënohet me 2 vjet burgim;

9-Aida Gjoci, 8 muaj burgim konvertuar në 120 orë punë të detyruar;


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë