Me motoçikleta, skafandra, shishe me bojë dhe tymuese, një grup anarkistësh kanë sulmuar vilën ku banon ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Athinë.
Sulmi ka ndodhur gjatë orëve të natës dhe vetë grupi i anarkistëve e ka filmuar dhe më pas shpërndarë nëpër internet të gjithë aksionin, që ka zgjatur disa sekonda.
Pasi godasin në drejtim të murit rrethues të rezidencës dhe hedhjes së disa sendeve të tjera në oborrin e saj, grupi i personave largohet me shpejtësi me motoçikleta.
Videoja mbyllet me një mesazh në greqisht, ku kundërshtohen politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rendi i mbrojtur prej tyre.
Sulme edhe më të rënda janë regjistruar edhe në zona të tjera të Athinës, ku nuk ka munguar molotovi. Në qendër të tyre janë bizneset, bankat dhe zyrat e policisë. Bankat dhe bizneset konsiderohen nga anarkistët si zemra e kapitalizmit, ndërsa policia ajo që i mbron.
Mediat greke flasin për një përshkallëzim të tyre, aq sa nuk mund të flitet më për raste të izoluara, por për një aksion të koordinuar të lëvizjes anarkiste, që pas zgjedhjes së Aleksis Tsipras si Kryeministër kishin rralluar aksione të tilla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



