Kryeministri Edi Rama shprehet i vendosur në mosshtyrjen e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, duke i dhënë një përgjigje dhe apelit të ndërkombëtarëve për të nisur negociatat pa kushte mes mazhorancës dhe opozitës.
Brenda dy ditësh, kryeministri doli sërish në një konferencë për shtyp kësaj herë duke folur për disa nga kandidatët e zgjedhur për bashkitë për zgjedhjet e 30 qershorit, por njëherësh për të dhënë dhe mesazhe opozitës se është i gatshëm të dialogojë pa kushte, duke shtuar se për t’u ulur në një tryezë me Bashën nuk ka nevojë për ndërkombëtarët.
“Sa i përket dialogut unë nuk kam nevojë as për gjermanë, as për amerikanë, as për holandezë, as për francezë, as për anglezë, as për norvegjezë, për t’u ulur dhe për të dialoguar personalisht. E kam thënë dhe e përsëris që dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe në një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj tek vota. E dyta, në leximin tim, miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka, që të jemi të qartë. Në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë Kushtetutën e Shqipërisë. Bëmë një marrëveshje në 2017 nuk e negociuam Kushtetutën e Shqipërisë, e kam refuzuar që në sekondën e parë dhe deri në sekondën e zgjedhjeve përtej afatit kushtetues. Këto nuk shtyhen dot asnjë ditë për shkak se presidenti mes 23-shit dhe 30-ës ka zgjedhur 30 qershorin. Zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen më 30 qershor. Unë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, sepse nuk më lejon Kushtetuta e Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Ai e cilësoi si një fantazi shtyrjen e datës së zgjedhjeve, pasi Kushtetuta nuk ia lejon këtë. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon zgjedhje në dy sezone, por Rama e cilëson shtyrjen si një propozim për plotësim tekash. “Nuk mund të ecet në Shqipëri me parimin, hapi rrugë budallait”, theksoi kryeministri.
Ai sakaq ka dhënë disa opsione për të dialoguar me opozitën.
“Çfarë mund t’i ofrohet opozitës? Kafe, çaj, ëmbëlsira. Dialog pa kushte do të thotë që të ulemi të flasim se çfarë gjërash mund të bëjmë së bashku, jo që të ndjehet mirë njëra palë që ka dhimbje koke, por që të adresohen ato çështje për të cilat jemi zgjedhur ne në këtë pozicion dhe ata në atë pozicion. Që do të thotë t’i marrim problematikat me radhë. Dakord, cilat janë problematikat: Sundimi i ligjit, hajde të shohim, kur dhe si mund ta adresojmë reformën në drejtësi. Krijimi i institucioneve të reja, ku ka gjëra hajde t’i përmirësojmë. Po bëj tani thjesht një udhëtim në imagjinatë me këto që po them. Zgjedhjet, hajde të shohim si, qysh dhe tek. Shitblerja e votës, patjetër… kemi marrë të gjitha masat ligjore, mund të marrim të tjera, mund të gjejmë mekanizma të tjerë, patjetër. Për këtë bëhet dialogu, nuk ka këto kushte në dialog që të negociojmë datën e zgjedhjeve, sepse nuk e kemi në dorë. Jam gati t’i dëgjoj, por nuk e kemi në dorë. Nga ana jonë nuk ka asnjë mundësi të shkojmë përtej 30 qershorit. Nëse thonë se nuk duan karrige atëherë çfarë problemi ka, le të vihen në dispozicion të Shqipërisë dhe të diskutojmë. Ne marrim përsipër që të gjitha nismat ligjore t’i votojmë edhe për ta në Parlament. Ta shfrytëzojmë këtë kohë deri në zgjedhjet e ardhshme politike të 2021-shit me një qartësi dhe siguri më shumë për ata, sepse ne jemi të sigurtë sidoqoftë”, tha ai.
Pse nuk kandidoi Dakon e Sejdiun
Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar gjithashtu edhe arsyet se pse nuk rikandidoi Vangjush Dakon dhe Qazim Sejdiun për zgjedhjet lokale dhe se a ka lidhje kjo me dosjen e përgjimeve apo apo me ndonjë formë lëshimi ndaj opozitës. Rama bëri të ditur se kanë qenë vetë Dako dhe Sejdini që i kanë kërkuar që të mos kandidojnë, pas tre mandatesh, pasi kanë pësuar një konsum shumë të madh, ndërkohë që ka nevojë për energji të reja për të çuar përpara projektet që kanë socialistët.

Ndërsa ka dhënë edhe shpjegimet se pse kandidoi të “përjetshmit” Adriatik Zotkaj dhe Gëzim Topçiun. “Kur fola për Durrësin dhe Elbasanin e saktësova mirë që janë dy nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Nuk thashë që ne vumë kufi tre mandate për gjithë Shqipërinë. Në Francë ka kryetarë bashkie që kanë harruar kur janë zgjedhur për herë të parë. Kur i pyet, mendohen. Nuk kam paragjykim për këtë edhe pse ne e kemi në ligj dhe ka filluar të funksionojë. Nuk kam qenë pro, por e kam pranuar dhe e kam votuar, ka qenë propozim i Bashkim Finos. Qytetet e mëdha janë histori tjetër. Ka qenë prej kohësh kërkesa e të dyve. Kanë qenë ata të parët që ma kanë shtruar këtë shqetësim”, theksoi Rama.
Ai mbajti qëndrim edhe sa i përket kandidimit të Agron Malajt, gardistit të 21 Janarit, i cili u lirua nga detyra me urdhër të ish-Ministrit të Brendshëm, socialistit Saimir Tahiri. “Ka qenë pjesë e atij grupi, por është provuar katërcipërisht se nuk ka shkelur asnjë nen të ligjit. Faleminderit që më dhatë mundësi për ta sqaruar këtë sepse bëhet shumë propagandë. Në cilën pjesë të imagjinatës mund të vendoset për të pranuar një lidership lokal të PS-së një person që mund të ishte qoftë dhe moralisht fajtor?! E kundërta është e vërtetë, është një nga njerëzit që ka njoftuar imtësisht për 21 janarin. Jam shumë i qetë në këtë drejtim. Kurrë nuk i kam futur njerëzit në një thes dhe kam pasur shqetësim të veçantë kur janë futur të gjithë në një thes. Fakti që nuk jemi njësoj tregohet se dhe për tre shkopinj gome në kurrizin e Sahit Dollapit bëhet nami”, theksoi Rama.

Ndërsa u shpreh i sigurt se opozita nuk mund ta pengojë procesin e 30 qershorit dhe se deklaratat paralajmëruese të ndërkombëtarëve janë vetëm fillimi në adresë të PD-së dhe partive të tjera të opozitës.
“Në një vend të NATO-s të kërcënosh dhe destabilizosh është një kuturisje qorre e një përmase që unë nuk di ta përshkruaj. Këtu nuk është thjesht shteti, ligji, organet ligjzbatuese, këtu janë interesa të sigurisë kombëtare që lidhen me sigurinë më gjerë. Mos shkoftë puna deri në pikën që të turpërohemi ne si popull dhe si shtet me çfarë do të na dëgjojnë veshët dhe shohin sytë në adresë të atyre që quhen udhëheqës që sot po punojnë si udhëhumbur. Një udhëheqës nuk mundet dot të sillet si udhëhumbur, mund të humbësh rrugën vetë por nuk mund do të udhëheqësh drejt honit popullin që përfaqëson, kurrë dhe duke kërcënuar se do përdorësh popullin për t’ja kundërvënë vendit dhe pjesë tjetër të popullit. Koha politike deri në 30 qershor është shumë e gjatë. Nuk kam asnjë shqetësim lidhur me 30 qershorin. Nga ana tjetër do të bëj çmos që miqtë tanë në opozitë të gjejnë rrugën e arsyes dhe të kthehen. Nuk është më çështje zgjedhjesh vendore për ta, çështja është se çfarë do të jenë pas zgjedhjeve vendore dhe ku do të jenë. Nuk mundet dot të merret peng një vend i NATO-s, është e pamundur”, theksoi Rama.
Një sqarim për 21 janarin
Shefi i qeverisë u detyrua të risqaronte deklaratën e dhënë për 21 janarin, pas polemikave që u shkaktuan mbi dhunën e shkaktuar ndaj policisë apo dhe ndaj institucioneve.
Duke mos justifikuar edhe ato incidente që ndodhën më 21 janar 2011 nga protestuesit e opozitës, Rama tha se krahasimi është dukshëm i pavend, pasi në asnjë rast në atë kohë nuk janë hedhur bomba molotov siç po bën opozita joparlamentare. “Unë nuk fola për gurë, unë thashë që në 21 janar nuk është gjuajtur asnjë bombë molotov në drejtim të këtyre mureve dhe thashë që është djegur një makinë te Piramida dhe nga pamjet pashë që ishin djegur edhe dy kazanë, jo për të justifikuar djegien, por për të bërë diferencën”, tha kryeministri.

Kreu i qeverisë kujtoi edhe disa mesazhe që në atë kohë si kryeopozitar, u kishte dërguar dy deputetëve të tij, Besnik Bares dhe Xhemal Qefalisë. “Pas konferencës që mbajta të dielën, Besnik Bare dhe Xhemal Qefalia më treguan mesazhe të miat nga ajo ditë, dhe thoja: “Janë në vete këta, qetësi-qetësi, qetësi”. Kryeministria ishte me gardh të shëmtuar si tek kopshti zoologjik, natyrisht se ishte luani brenda, njerëzit rrinin varur mbi kangjella dhe rrinin, kurse këtu vinë tek dera, edhe të zhveshur, edhe në mbërthim-zbërthime pantallonash”, tha kreu i qeverisë.
Ndërsa sa i përket protestës së djeshme, kryeministri e cilësoi sërish të dhunshme, pavarësisht se ishte ulur numri i bombave molotov. “Manifestim i dhunshëm, nuk më impresionon fakti që dje ra numri i bombave molotov dhe ndryshoi formula e goditjes me zjarr mbi institucionet, se goditjet e djeshme përsëri rrezikuan jetën e policëve, krijuan disa plagë për disa prej tyre dhe mbi të gjitha, e djeshmja ishte një xhiro në boshllëkun e dëshpërimit të atyre që janë vetëpërjashtuar nga zgjedhjet, që shkaktoi jo pak shqetësim dhe krijoi jo pak ankth për qytetarët, në gjithë trajektoren e marshimit absurd. Vlen të përsëritet se as me qëndrime dhe as me marshime nuk zëvendësohet dhe as nuk rrëzohet qeveria e aq më pak me bomba molotov; nuk janë një alternativë qeverisëse. Por përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës dhe për të goditur ekonominë. Pas përhapjes së atyre imazheve, ka amulli të rezervimeve”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





