Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës doli dje për herë të parë me kërkesën që qeveria dhe opozita ti japin fund krizës politike në Shqipëri.
Në një deklaratë të gjatë dhe ndryshe nga të mëparshmet ku kryesisht është dënuar dhuna në protesta, ambasada ka mbajtur ekuilubre dhe më në fund ka kërkuar që kriza të marrë fund.
Në deklaratë fillimisht ambasada pohon se protestat paqësore janë thelbësore për demokraci të shëndetshme dhe e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur dhe për të protestuar kundër qeverisë së tyre është themelore.
Megjithatë, forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik.
“Ne dënojmë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj”, thotë ambasada duke evidentuar se dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së.
Këtu, ambasada i referohet shkrimit Borhart të kesh turp që shkruan disa protestues në hyrje të pallatit ku jeton ambasadori i OSBE.
Për ambasadën këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike.
“Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore”, thotë ambasada.
E menjëherë më pas shton: “Edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve”.
Në këtë pikë anbasada bën paralajmërimin e fortë: “Protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian”.
Dhe në mbyllje të qëndrimit zyrtar, Shtetet e Bashkuara “nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik”.
Ambasada britanike dënon sulmin ndaj Bernd Borchardt
Ambasada britanike i bën thirrje liderëve të opozitës të dënojnë aktet e dhunshme . Ajo dënon intimidimin e ambasadorit të OSBE-së Bernd Borchardt dhe i bën thirrje palëve të hyjnë në dialog pasi dhuna dhe retorika nuk janë zgjidhje.
“E drejta për të protestuar është përbërës themelor i një demokracie të shëndetshme. Por protestat duhet të jenë paqësore. Ne dënojmë dhunën që u zhvillua gjatë protestës së 11 majit nga e cila u plagosën si policë dhe protestues dhe shkaktoi dëme në pronë.
Ne u kërkojmë liderëve të opozitës të dënojnë dhunën dhe të sigurojnë që protestat që ata mbajnë të jenë paqësore dhe të mbahen në përputhje me ligjin.
Ne gjithashtu kërkojmë që policia të tregojë përmbajtje dhe të respektojë sundimin e ligjit që ata mbështesin. Ne dënojmë me gjithë zemër intimidimin e ambasadorit të OSBE-së dhe dëmet e shkaktuara në rezidencën e tij zyrtare. Nuk ka vend për veprime të tillë në një demokraci moderne.
Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të hyjnë në dialog, e cila është mënyra e vetme në të cilën ngërçi tanishëm mund të zgjidhet. Dhuna dhe retorika nuk janë përgjigje”, deklaron ambasada britanike.
Ambasada gjermane: Dhuna e papranueshme, palët të dialogojnë
Ambasada e Gjermanisë ka reaguar në lidhje me protestat që zhvillon opozita e bashkuar në Tiranë. Në njoftimin e ambasadës gjermane, thuhet se protesta është një mjet demokratik, por se nuk mbështet demonstratat e dhunshme.
“Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore e rëndësishme në demokraci. Shfaqje të dhunës, sikurse ishin ato që pamë në datën 11.05., janë tërësisht të papranueshme dhe të papajtueshme me këtë parim. Për këtë arsye ne dënojmë maksimalisht dhunën e çdo lloji. Veçanërisht na shqetëson fakti, që drejtuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri është kërcënuar”, thuhet në reagim.
Më tej ata i bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës Basha dhe Kryemadhi të dënojnë të gjitha format e dhunës ndaj njerëzve dhe institucioneve dhe t’i parandalojnë ato në mënyrë efektive.
“Si organizatorë ata mbajnë përgjegjësi për zhvillimin paqësor të demonstratave. Në të njëjtën kohë apelojmë forcat shqiptare të sigurisë të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë konsekuente, me maturi dhe në proporcion me situatën.
Protestat në rrugë nuk zëvendësojnë dialogun e domosdoshëm politik! Ndaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve, që në funksion të përafrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian kundërshtitë në qëndrime t‘i zgjidhin në kuadër të një dialogu politik konstruktiv”, përfundon reagimin ambasada gjermane.
Ministria e Jashtme gjermane dhe raportuesi Christian Schmid
Ndërkohë, zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Unioni Kristiandemokrat / Unioni Kristiansocial (CDU/CSU) në Bundestag dhe njëherazi kryesues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, Johann David Ëadephul (CDU), si edhe raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Bundestagut për Çështje të Jashtme, Christian Schmidt (CSU), kërkojnë nga pozita dhe opozita në Shqipëri që të hyjnë në dialog pa kushte. Në një deklaratë të përbashkët, të cilën ata ia dhanë ekskluzivisht Deutsche Ëelle-s të hënën (13.05) pasdite në Berlin, të dy deputetët e këtyre dy partive simotra me Partinë Demokratike të Shqipërisë, i dënojnë ashpër trazirat e dhunshme në Shqipëri dhe ofrojnë ndihmën e tyre për kapërcimin e krizës.
Ambasada italiane apelon për dialog
Edhe ambasada italiane në Tiranë u ka këkuar palëve politike që përmes dialogut të zgjidhin krizën disamujore në vend.
1 orë përpara protestës, selia diplomatike nënvizon se “Ambasada italiane u kërkon të gjitha palëve të fillojnë dialogun si mënyra e vetme për të zgjidhur krizën aktuale politike dhe për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë”.
Shmangia e akteve të dhunë është i padiskutueshëm, vijon reagimi i ambasadës italiane ku thuhet: “E drejta për të protestuar është tipar thelbësor i një demokracie të shëndetshme, por protestat duhet të mbeten paqësore. Gjatë protestës së dhunshme të 11 majit pati të lënduar në radhët e policisë dhe të protestuesve, si dhe u dëmtuan disa godina publike.
Ambasada italiane në Tiranë u bën thirrje udhëheqësve të opozitës që të dënojnë dhunën dhe të garantojnë që protestat e ardhshme të jenë paqësore dhe të qëndrojnë brenda kornizave ligjore. I kërkon gjithashtu forcave të rendit të tregojnë vetëpërmbajtje”.
Edhe ambasada italiane dënon ashpër veprimin në pallatin ku banon kreu i Prezencës së OSBE-së ku thuhej “Borshard, t’iu vijë turp”, veprime të cilat sipas ambasadës janë të papranueshme në një demokraci.
Letër e eurodeputetëve Fleckenstein dhe Kukan
Dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan i janë drejtuar me letër të hapur qytetarëve shqiptarë, ku u kërkojnë atyre se është koha e duhur për ti dërguar botes se Shqipëria dhe shqiptaret janë te afte për t’i zgjidhur konfliktet e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike.
Duke iu referuar protestës së 11 majit dy eurodeputetët thonë se “Pamjet e se shtunës se kaluar mund të japin përshtypjen e gabuar se vendi juaj nuk është gati për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti”.
Fleckenstein dhe Kukan thonë se dhe vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat ligjore, zgjedhjet e lira dhe të drejta – janë rruga e vetme përmes te cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhe sfidat serioze që përjeton.
Letër për qytetarët shqiptarë
Ne, si anëtarë të Parlamentit Evropian kemi mbështetur prej vitesh procesin e integrimit te Shqipërisë në BE dhe përparimin e vendit në reformat përkatëse. Ne jemi miq të Shqipërisë dhe jemi të bindur qe vendi juaj ofron një vlere te shtuar për Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja pse ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për integrimin e Shqipërisë në BE edhe në të ardhmen.
Por me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj. E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike, por kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm.
Ne, deputetët e Parlamentit Evropian, anëtare te familjeve të ndryshme politike evropiane, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestat e lajmëruara për ditët e ardhshme në Tiranë, të përmbahen nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga ngjarje të dhunshme. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll.
Si deputetë të Parlamentit Evropian, ne nuk synojmë interferimin ne ngjarjet ne vend. Duam thjesht t’ju kujtojmë se vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat ligjore, zgjedhjet e lira dhe të drejta – janë rruga e vetme përmes te cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhe sfidat serioze që përjeton.
Detyra jonë si deputetë të Parlamentit Evropian është të inkurajojmë përparimin e bërë nga Shqipëria dhe të mbështesim vendin në rrugën e tij drejt integrimit evropian. Për ketë arsye, e ndjejmë te nevojshme për t’ju drejtuar juve, qytetarëve shqiptarë. Prandaj, kemi besim dhe presim nga ju, nga qytetarët shqiptare dhe nga shoqëria civile qe te punojmë se bashku për të çuar përpara qëllimin tone të përbashkët.
Pamjet e se shtunës se kaluar mund të japin përshtypjen e gabuar se vendi juaj nuk është gati për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti. Qytetarë te Shqipërisë dhe anëtare te shoqërisë civile: Si miq të Shqipërisë dhe përkrahës të integrimit te saj në BE, ju bëjmë thirrje të bëheni pjese e zgjidhjes dhe te jepni kontributin tuaj për te ndaluar dhunën.
Është koha e duhur për ti dërgoni botes një mesazh të qartë se Shqipëria dhe shqiptaret janë te afte për t’i zgjidhur konfliktet e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike.
Juaji sinqerisht,
Knut Fleckenstein, eurodeputeti, Aleanca e Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, raportuesi i PE për Shqipërinë
Eduard Kukan, eurodeputeti, Partia Popullore Evropiane në Parlamentin Europian, Kryetari i Grupit punues të Komitetit të Punës së Jashtme të PE për Ballkanin Perëndimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




