Në takimin mes ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, gjatë paradites së sotme në Prokurorinë e Përgjithshme u vu theksi te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa u tha se puna hetimore nga prokurorët duhet të përmbyllet në një kohë më të shkurtër. Pra, korrupsioni do të jetë kryefjala e punës së Prokurorisë për vitin 2019. Në rekomandimet që Këshilli i Ministrave i ka dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme, lufta kundër korrupsionit është prioriteti kryesor.
“Nevojitet një përpjekje më e madhe nga prokurorët për të mbyllur më shpejt proceset hetimore në mënyrë të pavarur. Vështirësitë që has organi i akuzës janë në një fazë të avancuar. Këshilli i Ministrave ka miratuar rekomandimet për vitin 2019 në luftën kundër kriminalitetit.
Rekomandimet kanë për qëllim parandalimin për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe respektimin e lirive themelore të të drejtave të njeriut. Prioritet do të jetë vijimi i reformës në drejtësi nëpërmjet reformës ligjore anti-krim që qeveria do ndërmarrë nëpërmjet ndërhyrjes në Kodin Penal. Lufta kundër korrupsionit mbetet një sfidë për vitin 2019.
Nga të dhënat për vitin 2018 rezulton se ka një ulje të numrit të personave nën hetim. Ka një numër të vogël të dërgimit për gjykim të çështjeve penale. Për këtë arsye qeveria ka rekomanduar krijimin e një historiku solid për ndjekje penale. Po ashtu për vitin 2018 vihet re se numri i përgjithshëm i veprave të kallëzuara është 46.892, nga të cilat vetëm 109 janë veprat penale”, u shpreh ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Në detyrat e Prokurorisë së Përgjithshme si prioritet është renditur edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta ndaj pastrimit të parave dhe personave të përfshirë në këtë aktivitet.
Gjonaj në fjalën e saj nuk ka anashkaluar edhe procesin zgjedhor ku ka rekomanduar ashpërsim të masave për ata që tentojnë të prekin apo cenojnë proceset zgjedhore. “Rekomandohet ashpërsim i masave për ata që cenojnë zgjedhjet e lira”, është shprehur ministrja Gjonaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



